Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e shtetit, duke argumentuar se paralelet e ngritura nga Rusia mes vendit të tij dhe Krimesë nuk qëndrojnë.
Në një opinion për Kyiv Post, Kurti kujtoi deklaratën e Zelenskyt të bërë gushtin e këtij viti, kur ai tha se qëndrimi i shtetit të tij karshi njohjes së Kosovës mbetet e pandryshuar.
“Ajo që spikati ishte se kjo deklaratë u bë në Beograd, në kryeqytetin e Serbisë, një prej aleateve më të ngushta të Rusisë”, shkroi Kurti.
Më 8 gusht, Zelensky deklaroi në Beograd se Ukraina respekton” integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar”.
Udhëheqësi ukrainas falënderoi Serbinë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës dhe kjo deklaratë nxiti reagime të shumta.
“Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një gjë e tillë do të forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka vite që mbron: një rend në të cilin historia nuk është licencë për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe vendeve më të vogla nuk u mohohet e ardhmja nga shtetet më të mëdha”, shkroi Kurti.
Kurti kritikoi atë që e cilësoi si afrim të Ukrainës me Serbinë. Ai kujtoi se Kosova ka dënuar agresionin rus ndaj Kievit, është harmonizuar me sanksionet ndërkombëtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ka strehuar gazetarë ukrainas dhe ka kontribuar me ndihmë ushtrake dhe trajnime.
Serbia, ndonëse ka mbështetur rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës që nisi më 2022, deri më tani ka refuzuar që t’iu bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
“Shumë paralele mund të tërhiqen mes Kosovës dhe Ukrainës. Konflikti në Ukrainë është lufta e parë e madhe në Evropë pas Kosovës. Të dyja vendet përballen me një fqinj që u referohet pretendimeve nga historia që datojnë shekuj më parë për të justifikuar pretendimet e tyre territoriale sot”, tha Kurti.
Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe konsideron se ajo është pjesë e territorit të saj.
Një tjetër ngjashmëri mes dy vendeve, sipas Kurtit është se komuniteti ndërkombëtar, në kohë të ndryshme, ka mbështetur si Kosovën ashtu edhe Ukrainën, në një “shfaqje të jashtëzakonshme të unitetit ndërkombëtar”.
“Në një zhvillim të çuditshëm, ka ndodhur një lloj lëvizjeje zigzage. Zelensky është afruar me Serbinë, një vend që ka refuzuar vazhdimisht të vendosë sanksione ndaj Rusisë, edhe pas ndryshimit të udhëheqjes pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit, ndërsa vetë Rusia i është referuar vazhdimisht shembullit të Kosovës”, tha ai.
Paralelet Kosovë-Krime
Në opinionin e tij, Kurti përmendi edhe paralelet që presidenti rus, Vladimir Putin, ka tërhequr pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.
Ai kujtoi se udhëheqësi rus kishte përmendur Kosovën për të justifikuar pretendimet ruse mbi gadishullin”, duke e cituar atë që kishte thënë Putini:
“Partnerët tanë perëndimorë e krijuan precedentin e Kosovës me duart e veta – në një situatë të ngjashme dhe ata u pajtuan për këtë – dhe ata tani çirren dhe vajtojnë kur banorët e Krimesë e përdorën po të njëjtën të drejtë”.
Sipas Kurtit, Putinit nuk i intereson respektimi i ligjit ndërkombëtar.
“Përdorimi i Kosovës për të është përpjekje për ta diskredituar Perëndimin”, shkroi Kurti, duke shtuar se Putin e akuzon Perëndimin se ka krijuar vetë precedentin me rastin e mbështetjes së pavarësisë së Kosovës.
“Kosova nuk është precedent i Putinit”, tha Kurti.
Kievi e arsyeton qëndrimin për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës duke u thirrur në parimin e integritetit territorial, dhe në frikën se njohja mund të përdoret nga Rusia si precedent për territoret ukrainase të pushtuara.
Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme për njohjen e Kosovës, por se vendimi përfundimtar i takon presidentit Zelensky.
Merezhko deklaroi se argumentet kundër njohjes lidhen kryesisht me frikën se Rusia mund ta përdorë Kosovën si precedent për pushtimin e territoreve ukrainase, me mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe, deri diku, me municionin serb që përfundon në Ukrainë.
Megjithatë, ai kishte deklaruar se personalisht është skeptik ndaj këtyre argumenteve, dhe se njohja e Kosovës nuk do ta shkelte të drejtën ndërkombëtare.
“Pavarësia e Kosovës nuk ishte as e nxituar dhe as e pamatur. Ajo ishte rezultat i një përpjekjeje të gjatë: aparteidit dhe represionit ndaj shqiptarëve etnikë në ish-Jugosllavi, të pasuara nga lufta, spastrimi etnik dhe gjenocidi, pasi Serbia kishte kryer tashmë gjenocid në Bosnjë dhe kishte nisur një fushatë për të bërë të njëjtën gjë në Kosovë. Procesi përfshiu po ashtu negociata të gjata, të ndërmjetësuara nga Perëndimi”, shkroi Kurti.
Përveç kur e ankesoi paligjshëm Krimenë, Putin e ka përmendur edhe herë të tjera Kosovën. Shembull në prill të vitit 2022, ai tha se nëse Kosova mundet të shpallë pavarësinë, pse nuk munden Donjecku dhe Luhansku, duke iu referuar dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, që Rusia në shkurt të atij viti i njohu si shtete të pavarura.
“Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, kishte thënë Putin 26 prill 2022 gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së.
Kosova vazhdimisht ka kundërshtuar këto krahasime.
Kurti tha se gadishulli i Krimesë është “Ukrainë” dhe Kosova “është Kosovë”./REL





















































