Nga Dr. Jorgji Kote
Diplomati, mësuesi dhe poeti nga Tetova, Daim Iljazi është i njohur në Maqedoninë e Veriut, në rajon dhe më gjerë në Europë e sidomos në trevat shqiptare.
Përveçse poet i mirëfilltë dhe i talentuar, Daimi është edhe aktivist i palodhur, organizator dhe promovues i letërsisë dhe talenteve të reja. Eshtë themelues dhe Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptarë OENEUM me qendër në Tetovë. Ka qenë anëtar i Bordit të Mbrëmjeve të Poezisë në Strugë, festivalit më të madh ndërkombëtar të poezisë në Maqedoninë e Veriut, etj.
Ekspertët e fushës nënvizojnë se Daimi është “mbrujtur me miell” poetik të cilësisë së lartë shqiptare, ballkanike por dhe europiane e sidomos franceze. Në vitin 1991 ai krijoi dhe drejtoi Klubin Kulturor Francez në Tetovë; në vitin 2006 fitoi çmimin për poezinë Euro-Franceze. Po ashtu, Qeveria franceze e ka dekoruar me medaljen “Kalorësi i Palmës Akademike.
Në punën e tij të palodhur për dy dekada rresht si mësues në Tetovë dhe pastaj në ” lundrimin” 22 vjeçar diplomatik nga Vardari në Senë, në brigjet e Liqenit të Gjenevës, të Bosforit dhe në Bruksel, kryeqytetin e Europës së bashkuar, poezia për Daim Ilazin ka qenë dhe mbetet bashkëudhëtare e pandarw dhe besnike.
Eshtë botues i 6 vëllimeve poetike në shqip, një libri publicistik në shqip, dhe dy vëllimeve me poezi në shqip&frëngjisht “Marrëzi Ballkanike – Folie Balkanique” dhe një vëllim poetik në maqedonisht ”Bie shi në Tetovë – Vo Tetovo vrne dozhd”.
Siç e ka pohuar edhe vetë, mesazhi kryesor i poezisë së Daimit synon ta bëjë jetën e njeriut më të mirë, më humane, më fisnike, më të denjë për njëri tjetrin dhe për ta shëruar ”marrëzinë ballkanike” kudo në botë.
Me krijimtarinë e tij të gjatë dhe të pasur poetike, Daim Iljazi na rikujton thënien e famshme se “poetët nuk bëhen, ata lindin”!
Redaksia e ARGUMENTUM e falenderon poetin Iljazi për bashkëpunimin e tij, duke i uruar shëndet dhe suksese të mëtejshme në krijimtarinë dhe veprimtarinë e tij të begatë poetike dhe letrare.
Dhe tani ju ftojmë të shijoni gjashtë krijimet më të reja të penës poetike të Daim Iljazit, të cilat botohen për herë të parë.
PRANË BUSTIT TE ADEM JASHARIT
Pranë bustit Adem Jasharit, sodis një figurë mitike,
një mal të heshtur që ruan agimin e kombit,
një lis i përjetshëm, vigan në altarin e lirisë.
I ngulitur me rrënjë, thellë në tokën e Dardanisë.
Nuk flet më Adem Jashari, as babë Shabani, as vëllai Hamza,
as gratë trime sy shqiponjë, as nipat e mbesat, që u bënë yje të qiellit mbi Dardani.
Gjaku i tyre i purpurt nuk hesht.
Ai rrjedh si një lum i madh përmes Dardanisë,
gurgullon në çdo gur të kësaj toke,
ushton në çdo kreshtë mali, në shpirtin e popullit.
Me një zë që dridhet si flakë e shenjtë, pyet vizitorët që ndalen pranë tij:
“A jeni të lumtur?
A e dini për çfarë u flijuam ne?
Unë dhe pesëdhjetë zemra të gjakut tim, u bëmë themel e mburojë e gjallë për këtë tokë të shenjtë?”
Poezia
Bota ka dalë nga shinat e arsyes,
me do huje si pela pa fré,
qielli pikon helm mbi ndërgjegjen e njerëzimit,
vlerat kryqëzohen në sheshin e të çmendurve
e njeriu normal me shpirtin e amputuar,
shikon fytyrën e vet në pasqyrën e thyer.
Qytetërimi po ha mishin e vet,
e ardhmja lind e vdekur në djepin e fëmijëve,
Dashuria hesht, ndërgjegjja është në arrati,
ndërsa çmenduria sundon fronin e botës.
urrejtja e lufta ngre perandori mbi varre…
botës i kanë prerë damarët e shpresës!
TË PRITA NË KAFENE BALZAK
Te prita në Kafe Balzak, Parisi 16,
nën dritën që dridhej si qerpik syri
llamba në tavolinë, dëshmitare e pritjes,
teksa koha pikonte si shiu, në gotën e zbrazët.
Ora nuk ecte,
Aroma e kafes lidhej me fijet e mendimeve,
Në tavanin gri, mendja pikturonte trupin tënd,
flokët duke valëvitur si pendim mbi supe,
Kafeneja gri si mjegulla e mëngjesit, si deti kur pret të fryjë era,
Por unë të prisja ende, siç pret ylberi dritën pas stuhisë,
u shndërrova në portret muri në heshtje,
me sy të ngulur, te dera që s’u hap kurrë.
JETOJMË KUTURU
Flasim kuturu, pa numëruar, pa peshuar,
blejmë, shesim, gjykojmë kuturu.
Punojmë, jetojmë, ecim kuturu.
Pa busull, pa e ditur, ku shkojmë?
I shesim ditët, orët në tregun e verbër,
Ecim në tym dhe furtunë,
në një botë që shembet,
nëpër mjegull mendimesh të kalbura,
Nata na shikon vëngër,
se edhe dashuri bëjmë kuturu.
Ëndrrat i shkelim me dy këmbë,
edhe gjumin e natës e bëjmë kuturu.
BOTA SI KALË HAMSHOR
Kjo botë po egërsohet nga shumë harbutë,
Damarët e trupit më thonë se tretet shija e jetës,
vrapime galope, zhurmë e madhe kudo,
bota është bërë si kalë hamshor
ankthi furishëm shpirtin kaplon.
Njerëzit përpëliten nën ritmin e mashtrimit,
Nëpër ekrane, demonë me zë engjëlli predikojnë,
shoh boshllëk në shumë zemra pa gjak,
Si qengja flenë shpirtrat e vdekur.
Në këtë kaos, durimi është bërë virtyt dhe frikë,
Liria është e vetmja gjë që s’mund të blihet.
Në këtë botë të çmendur si pela pa fre
Shpresa e jetës çdo ditë tretet si kripa në shi
burrëri e madhe është, sot të jesh në terezi
Dilemë hamletiane, heroizëm të jesh njeri.
KAMBANË NË ERRËSIRË
Më quajnë poet rebel,
por unë jam veç një zjarr
që nuk shuhet nga shiu,
një rrufe që çanë retë e dendura
dhe lëshon dritë mbi qepallat tuaja të ndrydhura.
Çdo ditë hani bukë të mykur nga frika,
e quani festë tryezën bosh të shpirtit,
i keni qepur gojët me penj heshtjeje,
dhe thithni ajrin e pluhurosur të nënshtrimit,
Unë jam një pikë gjaku, që s’pranon të përzihet,
me lumin e turbullt të turmës,
jam britma që nuk ëndërroj të notojë
në ujërat ku e vërteta mbytet pa zhurmë.
Jam i juaji, jam kambana që s’pushon,
jam hija që ju ndjek edhe në mesnatë,
si pasqyra që nuk fal mashtrimin,
dhe ju kthen fytyrën lakuriq si jemi.
Se motet më kanë rrahur, si dallgët shkëmbin,
më kanë gërryer, më kanë skalitur shumë,
derisa dhimbja u bë mermer,
dhe vuajtja më veshi me heshtje statuje.
Bredhi rrugëve të qytetit, mbuluar nga terri,
si një hënë e vetmuar, që kullon argjend,
mbi çatitë e errësirës, duke pritur Godonë,
si një agim që s’vjen.
Dhe rënkoj për pranverën, që më mbeti peng,
për lulëkuqet që s’çelën në oborr.
Sot, lotët më bien faqeve, si shi i nxehtë,
dhe shpirti më dridhet, si gjethet në vjeshtë.
© 2026 Argumentum




















































