Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, riafirmoi të hënën gatishmërinë e NATO-s për të mbrojtur territorin e aleancës, pas incidenteve të fundit me shkeljen e hapësirës ajrore polake nga raketa ruse.
“Ne do të mbrojmë gjithmonë çdo pëllëmbë të territorit tonë të NATO-s”, deklaroi Wadephul gjatë sesionit të 72-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillohet në Berlin.
Duke iu drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, kryediplomati gjerman theksoi se NATO është një aleancë mbrojtëse, por e gatshme të reagojë për mbrojtjen e vendeve anëtare.
“Zoti Putin, mos keni asnjë dyshim: ne jemi një aleancë mbrojtëse, por jemi të gatshëm të mbrojmë veten, vendet tona dhe aleancën tonë”, u shpreh ai.
Wadephul shprehu gjithashtu “solidaritetin e plotë” të Gjermanisë me Poloninë pas incidenteve, duke bërë të ditur se ishte në kontakt të ngushtë me homologun polak, Radosław Sikorski.
Sipas informacioneve të qeverisë polake, të premten tre mjete fluturuese ruse hynë në hapësirën ajrore të Polonisë dhe u rrëzuan në pjesën juglindore të vendit, anëtar i BE-së dhe NATO-s. Autoritetet fillimisht dyshuan se bëhej fjalë për dy raketa lundruese dhe një dron. Nga incidenti nuk pati persona të lënduar.
Të dielën, Prokuroria Publike njoftoi se, pas analizimit të mbetjeve të gjetura, mjetet ishin identifikuar si raketa ruse të tipit Kh-101.
Incidenti pritet të jetë në fokus të diskutimeve të përfaqësuesve të NATO-s gjatë takimeve të rregullta që zhvillohen të hënën në Bruksel.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet t’i drejtohet Asamblesë Parlamentare të aleancës në Berlin. Më vonë gjatë ditës, në orën 15:30, ai do të pritet në Kancelarinë Federale nga kancelari gjerman Friedrich Merz.
© 2026 Argumentum




















































