Panairi i Filmit dhe i Industrisë Kinematografike të Guangzhout 2026 përfundoi më 22 nëntor. Gjatë panairit, platforma e mediave të reja e emisionit të lajmeve të CCTV-së, pjesë e Grupit Mediatik të Kinës (CMG), transmetoi drejtpërdrejt në disa formate emisionin “Qyteti i Dritës dhe Hijes”, kushtuar Guangzhout, duke kontribuar në gjallërimin e konsumit përmes ndërthurjes së filmit me sektorë të tjerë gjatë Sezonit të Filmit të Artë.
Panairi i këtij viti u përqendrua në dy funksione kryesore: ekspozimi dhe tregtimi. Me një sipërfaqe ekspozimi prej rreth 10 mijë metrash katrorë, ai kishte dy zona kryesore: tregun e filmit dhe industrinë e filmit. Në të morën pjesë mbi 230 kompani dhe institucione nga sektorë të ndryshëm të industrisë kinematografike, duke krijuar lidhje me burime dhe partnerë të industrisë së filmit brenda dhe jashtë vendit, si dhe duke nxitur shkëmbimet kulturore dhe kinematografike mes Kinës dhe vendeve të tjera.
Gjatë panairit, platforma e mediave të reja e CCTV-së transmetoi drejtpërdrejt emisionin “Qyteti i Dritës dhe Hijes”, kushtuar Guangzhout. Duke marrë si pikënisje Panairin e Filmit dhe të Industrisë Kinematografike të Guangzhout, ekipi u njoh nga afër me politikat dhe masat e reja të Guangdongut për zhvillimin e industrisë së filmit, si dhe me përpjekjet e reja për shkëmbimin e talenteve në këtë fushë dhe promovimin e filmave kinezë në tregjet ndërkombëtare. Programi prezantoi gjithashtu teknologjitë e reja që po përdoren në prodhimin dhe shfaqjen e filmave në Kinë.
Përmes reportazheve në terren, gazetarët vizituan edhe zona të veçanta të industrisë kinematografike, si Studion e Filmit të Lumit të Perlave dhe Parkun Kreativ Zijinitang në Guangzhou. Ata vëzhguan zhvillimin e industrisë audiovizive, zbuluan potencialin e ri të ndërthurjes së filmit me turizmin dhe kulturën, si dhe u përqendruan tek format e reja të konsumit që po krijohen nga modeli “film+”. Përmes shembujve konkretë, programi tregoi se si industria e filmit po krijon mundësi të reja për zhvillimin e turizmit dhe rritjen e konsumit në nivel lokal.
Më herët, në prag të takimit të APEC-ut, CCTV News kishte prezantuar edhe episodin kushtuar Shenzhenit të serisë “Në gjurmët e filmit në Kinë”, duke sjellë këndvështrime të ndryshme mbi risitë dhe zhvillimin e industrisë kinematografike kineze dhe duke krijuar një atmosferë të veçantë festive për Sezonin e Filmit të Artë.
/CGTN




















































