“Fryma e Elbës” është një shembull se si vendet tona mund të lënë mënjanë kontradikta, të ndërtojnë besim dhe të bashkëpunojnë në emër të një qëllimi të përbashkët, theksuan në deklaratën e përbashkët Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump me rastin e 75-vjetorit të takimit historik të ushtarëve sovjetikë dhe amerikanë.
Deklaratë e përbashkët e Presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump me rastin e 75-vjetorit të takimit në lumin e Elbës
“25 prilli i vitit 2020 shënon 75-vjetorin e takimit historik të ushtarëve sovjetikë dhe amerikanë, të cilët shtrënguan duart në një urë të dëmtuar mbi lumin Elbe. Kjo ngjarje ishte lajmëtari e një humbjeje vendimtare për regjimin nazist.
Takimi në Elbe është kulmi i përpjekjeve kolosale të shumë vendeve dhe popujve, të bashkuar në kuadrin e Deklaratës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1942. Kjo luftë e përbashkët kërkonte sakrifica të mëdha të miliona ushtarëve, marinarëve dhe civilëve në shumë teatro të luftimeve.
Ne gjithashtu vëmë në dukje kontributin e miliona burrave dhe grave që në frontin e punës kishin prodhuar në sasi të madhe produktet ushtarake, të cilat ishin destinuara për t’u përdorur në tërë botën. Punëtorët dhe ndërmarrjet në prapavijë luajtën rolin e dorës së parë në sigurimin e forcave aleate me mjetet e nevojshme për fitore.
“Fryma e Elbës” është një shembull se si vendet tona mund të lënë mënjanë kontradikta, të ndërtojnë besim dhe të bashkëpunojnë në emër të një qëllimi të përbashkët. Duke luftuar sot kundër sfidave më serioze të shekullit XXI, ne bëjmë homazhe për guximin dhe kurajon e të gjithë atyre që kanë luftuar së bashku për të mposhtur fashizmin. Vepra e tyre heroike nuk do të harrohet kurrë”.
/argumentum.al/
© Argumentum