Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, në një konferencë për mediet bëri me dije se, përveç ngjarjeve në terren, strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë marrë në shqyrtim të menjëhershëm hapësirën virtuale, ku gjatë monitorimeve intensive, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi, nëpërmjet të cilave janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje të drejtpërdrejtë kriminale, ndër to, thirrje për kryerje të akteve ekstreme dhe terroriste, si dhe kërcënime direkte kundër jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.
Ai tha se lidhur me këtë situatë është regjistruar menjëherë procedimi penal përkatës për veprat e lidhura me këto veprime kriminale tejet të rrezikshme, dhe po bashkëpunojmë ngushtësisht me agjencitë partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP, identifikimin e administratorëve të këtyre kanaleve dhe të çdo përdoruesi që bën thirrje për dhunë dhe akte terroriste.
Sipas tij, përdorimi i rrjeteve sociale nëpërmjet llogarive anonime nuk duhet dhe nuk do të lejohet t’i shërbejë rrymave apo shtetasve me prirje terroriste, ekstremiste dhe të dhunshme, brenda dhe jashtë vendit, të cilët janë aktualisht në një proces hetimor tejet të detajuar dhe konfidencial, për të vlerësuar qëllimet dhe veprimet e tyre destabilizuese, si dhe të rrezikshme për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit.
Gjithashtu, Ziu theksoi se Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për përhapjen e lajmeve të pavërteta dhe dashakeqe që synojnë të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
“Policia e Shtetit gjen sërish rastin, të vijojë apelet e bëra gjatë këtyre ditëve, për qytetarët pjesëmarrës në protesta që të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin. Çdo efektiv që sulmoni është aty për të bërë detyrën që i është caktuar, është i betuar për komb dhe flamur dhe bashkëjeton çdo ditë në të njëjtin terren me ju”, tha ai,
Ndërkohë, Ziu shtoi se në mënyrë të vazhdueshme drejtuesit e Policisë në terren udhëzojnë punonjësit e policisë jo vetëm gjatë instruktazheve, por dhe në terren në detyrë, që pavarësisht situatave ku përballen me sulme të rrezikshme, apo gjatë ndërhyrjeve për të mbrojtur institucionet, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe propocionalitet.
Ai tha se Policia e Shtetit është krah qytetarëve, pjesë aktive e komunitetit të cilin e ndajmë dhe jetojmë së bashku, me sfidat e përditshme, të cilat duhet të rritin mirëkuptimin mes nesh dhe asnjëherë përçarjen.

“Policia e Shtetit nuk është armike e qytetarëve, por partnerja më e besueshme e tyre, është organizata që asimilon çdo ditë krimin në vijën e parë të rrezikut, që i ka dhënë kombit qindra dëshmorë dhe që çdo moment, vë në shërbim të çdo shqetësimi të qytetarëve, mijëra burra dhe gra, familjarë dhe bij të të njëjtit atdhe.
Ushtroni të drejtën tuaj për të protestuar, por distancohuni menjëherë nga elementet e dhunshme, individët me precedentë, individët e rrezikshëm dhe nga grupet që kërkojnë të përdorin kauzën tuaj për kaos, rrezik dhe destabilizim!”, tha ai.
Sipas tij, dhuna ndaj Policisë dhe shkatërrimi i pronës publike dhe private, nuk janë të drejta kushtetuese, por janë vepra penale.
Në përfundim, Ziu bëri edhe një apel për prindërit dhe familjarët e të miturve dhe të rinjve, që të tregojnë kujdes maksimal për fëmijët.
“Mos lejoni që ata të bien pre e manipulimeve ose thirrjeve anonime në rrjete sociale për t’u bërë pjesë e akteve të dhunshme, pasi pasojat ligjore të këtyre veprimeve do të dëmtojnë rëndë të ardhmen e tyre. Policia e Shtetit është në detyrë edhe pse përballet këto ditë me sulme të papara më parë dhe nuk do të tërhiqet përballë dhunës, por do përmbushë detyrën që i ngarkon ligji dhe që ka për mision”, tha ai.
© 2026 Argumentum





















































