Greqia dhe Italia nënshkruan një marrëveshje për kufijtë detarë, duke krijuar një zonë ekskluzive ekonomike midis tyre dhe duke zgjidhur kështu konfliktet e gjata për të drejtat e peshkimit.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite të ministrit të Jashtëm italian Luigi Di Maio në Athinë, pas disa muajsh tensione në lidhje me burimet natyrore në rajonin e Mesdheut Lindor mes Turqisë, Greqisë dhe Qipros. Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë ende publike, por ato janë një vazhdimësi e marrëveshjes së vitit 1977 midis dy shteteve.
Ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias tha se akordi i arritur konfirmoi edhe njëherë kontrollin e plotë të vijës detare pranë ishujve grekë dhe i jep zgjidhje të drejtave të peshkimit. Marrëveshja greko-italiane vjen disa muaj pas marrëveshjes mbi kufijtë detarë mes Turqisë dhe qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Libisë.
Kjo marrëveshje nxiti reagimin e qeverisë greke, e cila theksoi se një gjë e tillë shkel të drejtat sovrane të Greqisë. Athina dhe Ankaraja zyrtare kanë mosmarrëveshje në lidhje me çështje të ndryshme dhjetëvjeçare, duke filluar nga të drejtat minerale në Detin Egje dhe në Qipron e ndarë në dy pjesë prej disa dekadash.
Italia dhe Greqia tashmë janë partnerë në projektin e gazsjellësit EastMed me anë të cilit synojnë të transportojnë 10 miliardë metra kub gaz në vit nga rezervat në Mesdheun lindor në drejtim të Greqisë, Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore.