I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator.
Ambasadori Grenell e bëri njoftimin të enjten në Twitter, por nuk dha hollësi të tjera.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell ishte planifikuar fillimisht për më 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Në Prishtinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpriti njoftimin për takimin e dy shtatorit.
“Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për përkushtimin e jashtëzakonshëm për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon”, shkroi presidenti Thaçi.
Zoti Grenell tha më pas se takimi do të bëhej në një datë të ardhme.
Ndërkohë, më 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet në shtator.
Gjatë një vizite kohët e fundit në Uashington, bashkërenduesi i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Skënder Hyseni tha për Zërin e Amerikës se Prishtina e sheh rolin e SHBA në dialogun Kosovë-Serbi si të pazëvendësueshëm dhe se kishte marrë angazhimin e Uashingtonit në këtë drejtim.
Ai tha se dialogu me Serbinë duhet të marrë një dinamikë të re dhe duhet të kulmojë me njohje reciproke./voa