Në një letër që i ka dërguar presidentit Trump, Thaçi e ka falënderuar liderin amerikan për arritjen e marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti Thaçi e ka ftuar presidentin Trump që ta vizitojë Kosovën.
Vetë Trump, pas arritjes së marrëveshjes për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator, paralajmëroi se do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin në një të ardhme të afërt.
“Urdhri i Lirisë” është urdhri më i lartë shtetëror që ndahet për qytetarët e Kosovës dhe ata të huaj, për të vlerësuar kontributin e tyre të lartë në mbrojtjen e lirisë së Kosovës.
Postimi i Presidentit Thaçi në Facebook
Ndihem i privilegjuar që si President i Republikës së Kosovës, në emër të popullit të Kosovës, të ndaj Urdhrin e Lirisë për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Presidentin Trump, e kam ftuar që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt, për t’u njoftuar me popullin më pro-amerikan në botë. E përjetshme është miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. HTH