Vendimi i Uashingtonit për të furnizuar Ukrainën me Sistemin e Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë tërheq zemërimin e Moskës.
Rusia ka akuzuar SHBA-në se qëllimisht “i ka hedhur benzinë zjarrit” duke furnizuar Ukrainën me sisteme të avancuara raketash.
“Shtetet e Bashkuara padyshim po mbajnë linjën se do të luftojnë Rusinë deri në ukrainasin e fundit,” u tha gazetarëve Peskov, zëdhënësi i Kremlinit.
Ai shtoi se Moska nuk i beson Kievit që të mos përdorë armët për të qëlluar në territorin rus. Kur u pyet se si do të përgjigjej Rusia nëse Ukraina do të përdorte raketa të furnizuara nga SHBA për të goditur territorin rus, Peskov tha: “Le të mos flasim për skenarët e rastit më të keq”.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha se do t’i dërgojë Ukrainës një numër të vogël të sistemeve të raketave të teknologjisë së lartë me rreze të mesme veprimi, armë kritike që liderët ukrainas kanë kërkuar që t’iu dërgohen, teksa po hasin në vështirësi që të pengojnë përparimin e Rusisë në rajonin e Donbasit.
Sistemet e raketave janë pjesë e pakos së re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 700 milionë dollarësh që SHBA-ja ka ndarë për Ukrainën. Në këtë pako do të përfshihen edhe helikopterë, sisteme kundërtanke Javelin, makina taktike, pjesë rezervë për armë të tjera, thanë zyrtarët amerikanë, të cilët shtuan se zyrtarisht kjo pako e ndihmës do të bëhet publike të mërkurën.
/Argumentum.al