“Tashmë është arritur dakordësia politike mes palëve dhe Konferenca e parë Ndërqeveritare do të mbahet javën që vjen”, deklaroi Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e kërkoi fjalen me “urgjencë” në Kuvend
“Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimit tonë drejt anëtarësimit në BE. Ka një dakordësi të plotë mes 27 vendeve anëtare të BE-së për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve prej disa orësh të parlamenteve anëtare. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë, me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt”, tha Balla.
Sipas tij, “mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare është kulmim i kontributeve të njëpasnjëshme të shumë qeverive, por qeveria aktuale ka meritën e pazëvendësueshme në përmbushjen e të gjitha detyrimeve”.
“Detyrimet nuk kanë mbaruar, është një proces i gjatë, por tashmë Shqipëria do të negociojë për t’u anëtarësuar në BE. Java e ardhshme është një javë solemne në përgjegjësinë që ka secili prej nesh për të punuar mbi detyrat shumë të rëndësishme që ka Kuvendi në këtë proces. Ata që javën e ardhshme duan të protestojnë, nuk e kanë me ne e kanë me shqiptarët”, tha Balla
/Argumentum.al