Ndërsa numërimi i votave po shkon drejt përfundimit dhe mbi 90% kutive tashmë janë hapur, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje! duket se kanë arritur një fitore të qartë dhe bindëse, duke e çuar Kosovën drejt formimit të qeverisë Kurti 3.
Ky rezultat shënon jo vetëm një fitore elektorale, por edhe fundin e një ngërçi politik njëvjeçar, i cili paralizoi institucionet e vendit dhe e ekspozoi Kosovën ndaj kritikave të vazhdueshme ndërkombëtare. Ky bllokim pati gjithashtu kosto të ndjeshme të brendshme, veçanërisht në dëm të interesit qytetar.
Rezultati i zgjedhjeve tregon se, përtej gjithë propagandës politike, mediatike dhe madje edhe përfshirjes së faktorëve ndërkombëtarë, populli i Kosovës ka folur qartë dhe ka bërë zgjedhjen e tij. Sovrani ka vendosur dhe vullneti i tij duhet të respektohet.
Albin Kurti fitoi edhe përkundër, ose ndoshta falë një fushate të ashpër negative dhe shpesh malinje ndaj tij. Ai fitoi sepse pothuajse të gjithë ishin kundër tij, në një furi të pakuptimtë politike. Kurti dhe LVV u përballen me sulme të vazhdueshme politike, mediatike dhe diplomatike, duke u portretizuar shpesh si faktor destabilizues. Megjithatë, paradoksi qëndron pikërisht këtu, duket se Kurti fitoi sepse ishte nën sulm. Qytetarët e zgjodhën Albin Kurtin për t’i dhënë një përgjigje të qartë se në përballjen me Serbinë dhe në mbrojtje të interesave të Kosovës nuk duhet të ketë lëshime, as tolerim dhe as kompromise që dëmtojnë sovranitetin e vendit.
Rezultatet paraprake dhe ndarja e votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon procesimin e rezultateve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas të dhënave të publikuara në platformën e KQZ-së, me 90,89% të kutive të procesuara, Lëvizja Vetëvendosje! ka fituar 50,13% të votave, duke u renditur bindshëm e para.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar 20,94%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 13,93%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 5,88%. Këto shifra e konfirmojnë epërsinë e qartë të Vetëvendosjes dhe e pozicionojnë Albin Kurtin si figurën dominuese të skenës politike kosovare pas këtyre zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e sotme kanë marrë pjesë rreth 900 mijë votues, dhjetë muaj pasi qytetarët nuk i kishin dhënë Albin Kurtit votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë e re, çka çoi vendin drejt një krize të zgjatur institucionale dhe zgjedhjeve të parakohshme.
Procesi zgjedhor u karakterizua nga një garë e gjerë politike. Në total, 24 subjekte politike garuan në këto zgjedhje, me gjithsej 1,180 kandidatë për deputetë. Prej tyre, 8 subjekte politike shqiptare, me 624 kandidatë, synuan 100 ulëset e Kuvendit të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër e subjekteve përfaqësonte komunitetet joshumicë, të cilat garuan për 20 ulëset e garantuara.
Drejt një kapitulli të ri politik
Ndërsa pritet përfundimi i plotë i numërimit të votave dhe certifikimi zyrtar i rezultateve, trendi aktual e bën të qartë se Kosova po hyn në një fazë të re politike. Me këtë rezultat, Albin Kurti pritet të marrë mandatin e tretë qeverisës, në një kohë kur vendi përballet me sfida të brendshme dhe rajonale që kërkojnë stabilitet institucional dhe vendimmarrje të qartë politike.
Mandati i tretë i Albin Kurtit vjen, pra, jo vetëm si vazhdimësi qeverisëse, por si test politik. Test për të dëshmuar se një qasje më e fortë ndaj Serbisë mund të shoqërohet me zhvillim të brendshëm, funksionim institucional dhe marrëdhënie të balancuara ndërkombëtare. Po aq, ky mandat është edhe një sfidë për partnerët ndërkombëtarë, të respektojnë vullnetin e sovranit dhe të pranojnë se stabiliteti afatgjatë nuk ndërtohet duke anashkaluar demokracinë.
© 2025 Argumentum





























































