Arrihet marrëveshja e parë Rusi-Ukrainë për zhbllokimin e eksporteve të grurit

Zyrtarët turq thonë se një marrëveshje mbi një plan të OKB-së për të zhbllokuar dërgesën e grurit ukrainas dhe për të lejuar Rusinë të eksportojë grurë dhe plehra do të nënshkruhet të premten në Stamboll. Zyra e presidentit turk tha se Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dhe zyrtarë nga Rusia dhe Ukraina do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit.

“Marrëveshja e eksportit të grurit, shumë e rëndësishme për sigurinë globale të ushqimit, do të nënshkruhet nesër në Stamboll nën kujdesin e Presidentit Erdogan dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së z. Guterres së bashku me delegacionet ukrainase dhe ruse”, tha në një postim në Twitter, zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin.

Sekretari Guterres ka punuar për një plan që do t’i mundësonte Ukrainës të eksportojë miliona tonë rezerva drithërash që kanë ngecur në portet e Detit të Zi të Ukrainës për shkak të sulmit rus ndaj Ukrainës. Marrëveshja mund të lehtësojë një krizë globale ushqimore që ka rritur çmimet e grurit dhe drithërave të tjera.


Javën e kaluar, palët u takuan në Stamboll, duke arritur një marrëveshje paraprake mbi planin. Ai parashikon kontrolle të përbashkëta të anijeve në portet e Detit të Zi dhe një mekanizëm për të garantuar sigurinë e rrugëve të transferimit, thanë zyrtarët turq.


Një qendër koordinimi për transportin e eksporteve do të krijohet në Stamboll dhe do të përfshijë zyrtarë të OKB-së, turq, rusë dhe ukrainas.
Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq tha se zoti Guterres kishte mbërritur të enjten në Stamboll, që do të thotë se”po ecet përpara” me marrëveshjen.


Me krizën globale të ushqimit në rritje, zëdhënësi Haq tha se nëse arrihet një marrëveshje “ne mund të shpëtojmë potencialisht qindra mijëra, apo miliona njerëz, nga çmimi i ushqimit jashtë mundësive të tyre”.

Zyrtarët rusë dhe ukrainas kanë fajësuar njëri-tjetrin për dërgesat e bllokuara të grurit.
Moska akuzoi Ukrainën për dështim në heqjen e minave detare në porte për të lejuar transportin e sigurt. Rusia ka këmbëngulur gjithashtu në të drejtën e saj për të kontrolluar anijet në hyrje për armë.

Ukraina ka kërkuar garanci ndërkombëtare që Kremlini nuk do të përdorë korridoret e sigurta për dërgesat e grurit për të sulmuar portin kryesor të Ukrainës në Detin e Zi, Odesa. Autoritetet ukrainase kanë akuzuar gjithashtu Rusinë se ka vjedhur drithë nga rajonet e saj lindore dhe ka bombarduar qëllimisht fushat e Ukrainës për t’u vënë flakën.


Zëdhënësi i Kremlinit nuk pranoi të komentojë njoftimin turk. Dmitry Peskov tha se ishte një pyetje “për ushtrinë ruse”./voa