Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar lidhur me zhvillimet gjatë protestës studentore në Tiranë, duke kërkuar respektimin e të drejtave themelore, proporcionalitet në veprimet e policisë dhe hetimin me përparësi të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Në reagimin e tij, Delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen në çdo rrethanë.
BE-ja nënvizon se veprimet e policisë duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me standardet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Njëkohësisht, kërkon që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës të hetohen me përparësi.
Delegacioni u bën thirrje të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin e tensioneve dhe të angazhohen në dialog konstruktiv, si rruga për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Reagimi vjen në një moment kur zhvillimet gjatë protestës në Tiranë kanë nxitur vëmendje mbi mënyrën e menaxhimit të tubimeve publike, garantimin e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësinë e institucioneve për të mbrojtur të drejtat themelore.

Reagimi:
Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi.
Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet.
Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara.
© 2026 Argumentum




















































