Erdoğan: Türkiye do të vazhdojë përpjekjet për paqen Rusi-Ukrainë

Duke përshëndetur shkëmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Ankaraja do të vazhdojë përpjekjet e saj për të siguruar paqen midis dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Përpjekjet tona për të vendosur paqen midis Rusisë dhe Ukrainës vazhdojnë. Falënderoj Putin-in dhe Zelenskyy-n që mundësuan shkëmbimin e të burgosurve. Ky zhvillim na bëri shumë të lumtur”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve në Qendrën Turkevi në New York.

Komentet e presidentit Erdoğan erdhën menjëherë pasi Rusia dhe Ukraina shkëmbyen 200 robër lufte si rezultat i ndërmjetësimit të Türkiyes dhe përpjekjeve diplomatike të kryera me liderët e dy vendeve.

“Türkiye tani ka marrë rezultatin e besimit të saj në fuqinë e dialogut dhe diplomacisë me këtë shkëmbim të të burgosurve”, shtoi ai.

Presidenti turk njoftoi se do të zhvillojë telefonata me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, sapo të kthehet nga SHBA-ja, ku mbajti fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York.

Ai shtoi se OKB-ja duhet të marrë iniciativën dhe të bëjë më shumë përpjekje për të zgjidhur konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Fatkeqësisht, OKB-ja nuk mundi t’i japë fund luftës, nuk mundi të ndalojë gjakderdhjen, as nuk mundi të gjejë një zgjidhje për krizat energjetike dhe ushqimore që u shfaqën si rezultat i luftës. Përpjekjet e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për formimin e korridorit të drithërave për këtë çështje e kanë qetësuar disi OKB-në, por nuk ka dyshim se duhet të bëhen më shumë përpjekje për t’i dhënë fund luftës”, tha Erdoğan.

Më 22 korrik, Türkiye, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.

Erdoğan theksoi se “synimi i vetëm” i Ankarasë është t’i japë fund gjakderdhjes dhe të vendosë paqen që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.

“Ne gjithmonë kemi shprehur përkushtimin tonë për integritetin territorial, sovranitetin dhe unitetin politik të Ukrainës që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, ne kemi theksuar se hapat e ndërmarra nga Rusia në këtë pikë janë të padrejta dhe të papranueshme”, tha Erdoğan.

Ai theksoi se Türkiye është në favor të diplomacisë për zgjidhjen e krizës dhe çështjeve të pazgjidhura.