14:22 / 26.09.2026
Gërvalla: Çështja e Speciales është betejë ligjore, jo betejë deklaratash
Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se çështja që lidhet me Dhomat e Specializuara duhet të trajtohet përmes punës ligjore dhe ekspertizës, duke deklaruar se Ministria e Drejtësisë po analizon edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në një konferencë për media, Gërvalla tha se për çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara nevojitet kujdes dhe bashkërendim institucional.
“Shumica e gjërave që lidhen me Dhomat e Specializuara janë çështje të ekspertizës së lartë. Nevojitet kujdes i madh që të mos bëjmë gabime”, tha Gërvalla.
Ajo theksoi se Ministria e Drejtësisë po e analizon projektligjin e propozuar nga PDK-ja dhe se, pas përfundimit të analizës, do t’ia përcjellë Qeverisë opinionin e saj.
“Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë, por askush nuk duam të nxitohemi e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme”, deklaroi ajo.
Gërvalla foli edhe për gjashtë projektligjet që, sipas saj, janë proceduar për në Kuvend, duke i cilësuar ato si pjesë të reformës së sistemit të drejtësisë.
Sipas ministres, njëra prej nismave është projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ajo tha se projektligji është shqyrtuar në disa faza, përfshirë vlerësimin nga Komisioni i Venecias dhe shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.
“Ky ligj nuk krijon një mekanizëm penal dhe Byroja nuk konfiskon pasuri. Projektligji parashikon një procedurë civile që zhvillohet para gjykatës”, tha Gërvalla.
Ajo sqaroi se, sipas projektligjit, Byroja do të ketë rol përgatitor dhe analitik, ndërsa vendimin përfundimtar për konfiskimin e pasurisë do ta marrë gjykata.
Në konferencë, Gërvalla u pyet edhe për kritikat ndaj saj pas vendimit të Dhomave të Specializuara dhe kërkesat për dorëheqjen e saj.
Lidhur me pretendimet se ka bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara, ajo tha se këto pretendime i ka mohuar edhe më herët.
“Deklaratat që më lidhin mua në çfarëdo lloj forme me bashkëpunimin tashmë është bërë bajat, sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk ka në asnjë hallkë, as me EULEX-in, as me UNMIK-un, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikë takimi timin, as direkt dhe as indirekt”, tha ajo.
Gërvalla tha se nuk e konsideron heshtje qëndrimin e saj pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, duke theksuar se puna duhet të përqendrohet në aspektin ligjor.
“Unë nuk kam heshtur. Unë jam Ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë së bashku me ekipin tim që nga dita e parë jam futur në punë me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media”, deklaroi Gërvalla.
Ajo shtoi se, sipas saj, institucionet duhet të përgatiten për fazat e ardhshme të procesit.
“Duhet të jemi profesionistë, të mençur, me kokën të ftohtë, pa shumë bërtitje, duhet të përgatitemi për instancën e ardhshme”, tha ministrja.
Sa u përket kërkesave për dorëheqjen e saj, Gërvalla tha se çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen e një zyrtari publik.
“Është e drejtë e secilit qytetar të Republikës së Kosovës të kërkojë dorëheqjen e secilit ministër. Ajo është, më në fund, jetojmë në një shtet demokratik ku është e drejtë e secilit të shprehë mendimin e tij”, tha ajo.
Gërvalla theksoi se fokusi i saj mbetet puna në Ministrinë e Drejtësisë dhe zbatimi i reformave të propozuara në sistemin e drejtësisë.
Gërvalla për protestat: Janë protesta dinjitoze, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë
E pyetur se cila është thirrja e saj për protestuesit në Prishtinë, Shkup dhe në qytetet e Evropës, si dhe nëse do t’u bashkohet protestave, Gërvalla tha se ajo e ndjen veçanërisht pozitën e familjarëve të viktimave.
“Unë kurrë nuk kam qenë, dhe sidomos kur nuk kam qenë anëtare e qeverisë, gjithmonë jam prononcuar dhe kam folur gjithmonë në anën e viktimave. Sepse mendoj që ka nevojë për zëra të fortë të cilët flasin për viktimat”, tha Gërvalla.
Ajo tha se edhe gjatë kohës kur është pranë familjarëve të viktimave, qëndrimi i saj ka qenë në mbështetje të tyre.
“Edhe unë sa herë që qëndroj pranë familjarëve, fëmijëve të viktimave, qoftë të atyre të para luftës, gjatë luftës, apo edhe atyre të pas luftës, unë gjithmonë marr anën e viktimës”, deklaroi ajo.
Gërvalla tha se Kosova është shtet demokratik dhe se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë.
“Unë jam shumë e lumtur që ne jetojmë në një Kosovë të lirë, në një Kosovë të pavarur, në një Kosovë demokratike ku secili qytetar ka të drejtë të protestojë”, tha ajo.
Duke folur për protestat e zhvilluara pas vendimit të Dhomave të Specializuara, Gërvalla i cilësoi ato si protesta dinjitoze.
“Shikojini protestat. Janë protesta dinjitoze, janë protesta të cilat barten nga qytetarët e Republikës, të cilët nuk lejojnë as të politizohen dhe as të provokohen”, tha ajo.
E pyetur nëse do t’u bashkohet protestuesve, Gërvalla tha se ajo e sheh rolin e saj në kryerjen e detyrave institucionale.
“Unë mendoj që koha ime është shumë e rëndësishme të luaj rolin dhe të plotësoj detyrën time në këtë institucion, sesa të reklamoj vetveten nëpër protesta me qëllim që dikush që ndoshta mund të ketë një mendim specifik për mua ta ndryshojë mendimin”, deklaroi ministrja.
“Unë jam shumë e bindur që këtu ku jam duhet t’i kryej punët e mia me qëllim që edhe të tjerët të mund t’i kryejnë punët e veta”, përfundoi Gërvalla.
















































