Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, e përqendroi adresimin te zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe ndikimi i saj mbi demokracinë, sovranitetin dhe mënyrën se si qytetarët formojnë opinionin e tyre.
Rama tha se rreziku kryesor nuk është që inteligjenca artificiale të mos i bindet njerëzimit, por që “t’i bindet në mënyrë të përkryer individit të gabuar”. Sipas tij, teknologjia mund të shumëfishojë ambiciet njerëzore, të përdoret nga shtetet apo aktorë të tjerë dhe të prodhojë në shkallë të gjerë informacion të rremë.
Duke iu referuar përvojës së Shqipërisë me atë që ai e quajti “revolucioni i flamingove”, Rama tha se narrativat e fabrikuara mund të personalizohen dhe t’u përcillen qytetarëve përmes zërave, faqeve dhe kanaleve të cilave ata u besojnë. Sipas tij, kjo krijon realitete të ndryshme për qytetarë të ndryshëm dhe rrezikon të dëmtojë bazën e përbashkët mbi të cilën zhvillohet debati demokratik.
Kryeministri theksoi se Shqipëria po ndërton një “pasqyrë digjitale” të mbështetur në inteligjencën artificiale, e cila synon të identifikojë manipulimet në kohë reale, të testojë pretendimet dhe të zbulojë struktura të koordinuara të informacionit.
Rama bëri gjithashtu thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare për një inteligjencë artificiale “sovrane dhe demokratike”. Ai propozoi transparencë për përmbajtjet politike të gjeneruara ose të manipuluara artificialisht, transparencë mbi mënyrën e shpërndarjes së tyre, përgjegjësi të qartë njerëzore për përdorimin e AI nga institucionet publike dhe një sistem të përbashkët paralajmërimi të hershëm kundër manipulimit të drejtuar nga inteligjenca artificiale.

Adresimi i plotë i Kryeministrit Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)
Duket se është radha ime për të predikuar në këtë shkretëtirë ku mblidhemi çdo vit e kjo radhë erdhi dhe e marr këtë si privilegj i të paktëve.
Zoti president,
Të dashur përfaqësues të popujve të Kombeve të Bashkuara,
Jam surprizuar shumë pozitivisht që shumë miq donin të dinin rreth asaj çfarë po ndodh në vendin tonë me inteligjencën artificiale dhe mendova që ishte një ide e mirë të ndaja me ju mendimet për këtë.
Baruti ndryshoi fushëbetejën. Fisioni bërthamor ndryshoi kuptimin e mbijetesës njerëzore. Inteligjenca artificiale po ndryshon diçka edhe më intime. Kush mund të hyjë në mendjen e një qytetari, të imitojë një zë të besuar, të prodhojë një realitet të kalibruar mbi frikërat e një personi e ta bëjë këtë miliona herë në të njëjtën kohë?
Shqipëria nuk është zhvilluese e modeleve të fjalës së fundit, por jemi një komb që e kemi jetuar tashmë të ardhmen që të tjerë ende janë duke e debatuar. Mendoj që mesazhi që ju detyrohemi është një mesazh tejet i thjeshtë. Rreziku i menjëhershëm e më i madh nuk është se inteligjenca artificiale do të ndalet së binduri njerëzimit. Rreziku më i madh do të jetë që do t’i bindet në mënyrë të përkryer individit të gabuar. Sfida vjen në tre nivele, në tre shtresa. Çfarë na bën, çfarë bën inteligjenca artificiale në vendin tonë? Çfarë na bën ne dhe kush e përfton fuqinë për të mbërritur tek ne. Së pari, çfarë bën në vendin tonë?
Në fakt, debati publik përfytyron makina që zgjohen, kanë ambicie dhe kthehen kundër krijuesve të tyre, por sistemet me të cilat përballemi sot nuk zgjohen me urrejtje në zemrën e tyre. Shumëfishojnë tonën. Ato nuk kanë ambicie të vetën, por u shërbejnë ambicieve të të tjerëve. Nuk mbajnë flamuj, por mund të dislokohen nga një shtet. Nuk thonë gënjeshtra për interes të tyre, por mund të thonë miliarda gënjeshtra për llogaritë e të tjerëve.
Makina nuk ka ndërgjegje, por mund të huazojë shtrirjen e një qeverie, precizionin e një arme dhe intimitetin e një miku. E në të njëjtën kohë, stimujt ekonomikë që rrethojnë inteligjencën artificiale shpërblejnë gjithmonë e më tepër zëvendësimin e përpjekjes njerëzore në vend të zgjerimit e rritjes së kapacitetit njerëzor.
“Shkruaje kodin që të mos më duhet ta kuptoj”.
“Hartoje raportin që të mos mendoj përgjatë tij”.
“Po bëj një gjykim, merr një vendim në mënyrë që të mos mbaj përgjegjësi për këtë”.
Kur suksesi matet vetëm me sa shumë punë i heq makina qenies njerëzore, mund të krijojmë institucione më efikase, por do të kemi njerëz më pak të aftë.
Një civilizim që e përjashton përpjekjen në vijim mund t’ua jashtëkontraktojë dijen. Një civilizim që jua lë në dorë dijen të tjerëve mund në vijim të lërë në dorë gjykimin e një civilizimi që lë në dorë jashtë gjykimin, mund të zbulojë që në fakt ka lënë në dorë të të jashtmëve përgjegjësinë dhe në fakt nuk është e pashmangshme, është zgjedhje.
Ne mund të ndërtojmë një inteligjencë artificiale që mëson, në vend që thjesht të përgjigjet, që orienton, në vend që thjesht të komandojë e që fuqizon qenien njerëzore në vend që qenia njerëzore të bëhet e varur prej saj.
Pyetja nuk shtrohet se sa shpejt e kreu punën makina. Duhet të shtrojmë pyetjen: çfarë mësoi qenia njerëzore? Kush e kuptoi vendimin? Kush mund ta kundërshtojë këtë vendim dhe kush përgjigjet për vendimin kur është i gabuar?
Shqipëria u bë vendi i parë që solli një instrument të inteligjencës artificiale në arkitekturën e qeverisë përmes Diellës, ministrja jonë e njohur botërisht e inteligjencës artificiale dhe nuk e bëmë këtë për të transferuar sovranitetin nga njerëzit te makina. E bëmë për t’i bërë shërbimet publike më të aksesueshme, procedurat më transparente dhe shtetin më llogaridhënës.
Asnjë makinë nuk mbart legjitimitet demokratik e asnjë algoritëm nuk trashëgon përgjegjësi kushtetuese. Pas çdo vendimi me ndikim publik duhet të mbetet një mandat ligjor, një institucion njerëzor e një emër që mund të thirret për t’u përgjigjur.
Shtresa e dytë është ajo çfarë mund të na bëjë inteligjenca artificiale. Inteligjenca artificiale brenda një vendi e shteti llogaridhënës mund të reduktojë distancën midis qytetarëve dhe shërbimeve publike. Ndërkohë që inteligjenca artificiale jashtë llogaridhënies mund të eliminojë distancën midis gënjeshtrës dhe mendjes njerëzore. Shqipëria e ka përjetuar drejtpërdrejt një gjë të tillë dhe jam i sigurt që ju i keni ndjekur ose thjesht keni mësuar për të ashtuquajturin revolucion të flamingove.
Narrativa e trilluar e një pushtimi izraelit të bregdetit shqiptar. Një pushtim që kurrë nuk ndodhi. U fabrikua, u personalizua e u përcoll përmes zërave, faqeve e kanaleve të cilave qytetarët u besonin tashmë.
Një qytetar mori një histori të një tradhtie kombëtare, tjetri dëgjoi një histori të një provokimi fetar, ndërsa tjetri përftoi konspiracionin e një pushtimi të huaj. Trillime të ndryshme hyjnë në botë të ndryshme emocionale, të gjitha në shërbim të së njëjtës gënjeshtre strategjike. Pasojat ishin reale. Qytetarët kishin arsyet e tyre për të protestuar, mos më keqkuptoni, por befas nisën të protestonin edhe kundër një armiku fantazmë.
Shprehja antisemite hyn në ligjërimin tonë publik për herë të parë ndonjëherë. Mos harroni, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që e mbylli Luftën e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa në fillim të saj.
Frika u shndërrua në zemëratë. Zemërata u shndërrua në mobilizim dhe trillimi u shndërrua në realitet politik dhe nuk ishte një eksperiment laboratorik. Nuk po ju flas për filma fantastiko-shkencorë. Ishte thjesht një e martë në Tiranë, kryeqytetin tonë. Algoritmi nuk shpiku objektivin. Qe një aktor njerëzor që e bëri këtë. Algoritmi nuk e zhvilloi, nuk e ndezi urrejtjen, por zbuloi si ta aktivizonte urrejtjen tonë. Ky është mashtrim sistematik si shërbim. Ndërhyrjet në zgjedhje nuk kërkojnë më thjesht një stacion televiziv apo një copëz propagande që i përsëritet të gjithë popullatës. Tashmë mund të veprojë me vendosmërinë e secilit prej votuesve. Dy fqinj mund të jetojnë në të njëjtën rrugë, të votojnë në të njëjtat palë zgjedhjesh dhe të jetojnë brenda realiteteve kryekëput të ndryshme, secili prej të cilëve është prodhuar specifikisht për secilin prej tyre.

Kur kjo ndodh, demokracia nuk humbet thjesht një debat apo thjesht një radhë zgjedhjesh, humbet terrenin e përbashkët mbi të cilin bëhet i mundur debati dhe humb edhe mundësinë për ta pasur atë.
Sovraniteti nuk gërryhet më në kufi, gërryhet nëpër “feed-e”. Në shekullin e XX-të sovraniteti kuptonte kontrollin për tokën, ujërat territoriale dhe hapësirën kombëtare ajrore. Sot në Europë ne po vrapojmë si të marrë për të shtuar gjithmonë e më shumë, për të hedhur gjithmonë e më shumë para që nuk i kemi për të mbrojtur tokat tona, për të mbrojtur qiejt tanë nga një luftë e mundshme në të ardhmen, por disi po harrojmë që në shekullin që jetojmë, duhet që kjo të nënkuptojë edhe aftësinë e një shoqërie të lirë për të mbrojtur kushtet në të cilat qytetarët e saj formojnë opinionin e vet. Pa këtë aftësi, sovraniteti mbi tokën, mbi qiejt bëhet thjesht një iluzion e pastaj vjen shtresa e tretë; shpërndarja.
Për shekuj të tërë kërcënimi më i madh ndaj lirisë së fjalës ishte censura.
Sot, liria e fjalës kërcënohet po kështu nga përdorimi si armë i lirisë së shpërndarjes. Fjala është e drejta për të shprehur një ide, shpërndarja është fuqia për ta vënë këtë ide përpara miliona njerëzve. Fjala i përket qenies njerëzore. Shpërndarja mund të blihet, automatizohet, të manipulohet dhe të caktohet fshehtësisht, të vendoset fshehtësisht nga platformat, korporatat, rrjetet kriminale dhe shtetet e huaja. E drejta për të folur është universale, por nuk ka një të drejtë universale për shpërndarjen anonime të pakufizuar dhe të amplifikuar artificialisht. Kur një gënjeshtër shumëfishohet miliarda herë, e vërteta nuk ka nevojë më të censurohet, sepse thjesht varroset.
Qytetari mbetet formalisht i lirë të flasë, por flet në një stuhi që asnjë zë njerëzor nuk mund ta përballojë.
Liria e fjalës, për rrjedhojë, mund të pësojë disfatë pa ndaluar asnjë libër të vetëm, pa burgosur asnjë gazetar të vetëm e pa fshirë as dhe një të vetmin postim.
Përgjigjja për fjalën e për të folurin e keq mbetet më shumë liri fjale, por përgjigjja për amplifikimin e fshehtë e industrial duhet të jetë ekspozim e duhet të bëhet më herët sesa vonë.
Kush e krijoi mesazhin, kush pagoi për të? U shpërnda nga njerëzit apo nga makinat?
Pse u shënjestrua qytetari? A ishte reagimi i dukshëm publik origjinal i koordinuar apo i drejtuar nga jashtë?
Të mbrosh demokracinë e të mbrosh një mënyrë jetese e lirinë e secilit komb për të jetuar në mënyrën e vet, nuk do të thotë të kontrollosh se çfarë lejohet njerëzit të mendojnë. Nënkupton të shpërfaqësh fuqitë e fshehura që kërkojnë të kontrollojnë atë që njerëzit detyrohen të shohin. Nëqoftëse ne mbrojmë lirinë e shprehjes duke e lënë kontrollin e shpërndarjes krejt në terr, atëherë është njësoj si të mbrosh derën po të dorëzosh të gjithë dhomën.
Disa përgjigjen duke kërkuar që inteligjenca artificiale të ndalet apo të ngadalësohet. Ne jemi shumë të vegjël, por më shumë respekt nuk do të biem dakord. Një pauzë nga demokracitë nuk do të sjellë pauzë nga diktaturat. Një moratorium i respektuar nga shtete të përgjegjshme nuk do të kufizojë fuqitë armiqësore, rrjetet ndërkombëtare kriminale apo industritë e manipulimit. Ne nuk mund të rregullojmë veten tonë deri në pafuqi.
Për këtë pyetje thelbësore strategjike, presidenti i SHBA-së ka të drejtë, nuk duhet të ndalemi, duhet të përshpejtojmë, por përshpejtimi duhet të ketë një drejtim. Na duhet një inteligjencë artificiale që është e verifikueshme, transparente dhe llogaridhënëse, e ndërtuar nga shoqëri të lira, ndarë mes aleatësh dhe vënë në shërbim të qytetarëve.
Përgjigjja përkundrejt përdorimit të automatizimit si armë nuk është dorëzimi teknologjik, është kapaciteti demokratik, është aftësia sovrane, është një inteligjencë e mirë artificiale në duart e atyre që mbeten llogaridhënës përkundër legjislacionit.
Një inteligjencë sovrane artificiale nuk do të thotë izolim, do të thotë që asnjë vend të mos jetë i pafuqishëm përpara sistemeve që nuk mund të kuptojë, të kontrollojë apo t’i pranojë pa i sfiduar ato.
Çdo vend duhet të jetë i aftë të mbrojë gjuhën e vet, komunikimet autentike, të autentifikojë komunikimet publike, të zbulojë manipulimet e koordinuara, të ruajë të dhënat e të informojë qytetarët e vet pa u varur krejtësisht nga përparësitë tregtare të një korporate të largët.
Ja pse Shqipëria, në shkallën e vet mikroskopike përkundrejt kësaj sfide gjigante, po ndërton një pasqyrë digjitale mbështetur mbi inteligjencën artificiale.
Pasqyra do të identifikojë manipulimin në kohë reale, do të testojë pretendimet, krahasuar me informacionin e autorizuar, do të zbulojë strukturat e koordinuara, jo vetëm ato çfarë shihen, por edhe si e pse ka mbërritur tek ta.
Nuk do t’u thotë qytetarëve se çfarë duhet të mendojnë. E drejta nuk mund të dekretohet nga asnjë qeveri. Duhet të jetë e mbështetur në të dhëna. Të nxirret nga burimet e duhura, të testohet, të sfidohet dhe të mbrohet haptazi. Pasqyra jonë nuk synon të shndërrohet në arbitër opinioni. Ka për synim të shndërrohet në një infrastrukturë transparence. Nuk kërkon të krijojë një ministri të së vërtetës, largqoftë, por kërkon të mbrojë shoqërinë kundër një industrie gënjeshtrash. Për rrjedhojë, Shqipëria bën thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare për një inteligjencë artificiale sovrane e demokratike.
Së pari, qytetarët duhet të dinë kur përmbajtja politike me ndikim është gjeneruar artificialisht apo është manipuluar në përmbajtjen e saj.
Së dyti, arkitektura e shpërndarjes duhet të bëhet transparente. Qytetarët dhe shtetet duhet të kenë mundësi të dinë kush e krijoi, financoi, kush e shënjestroi apo amplifikoi artificialisht përmbajtjen politike me ndikim.
Së treti, çdo përdorim me ndikim i inteligjencës artificiale nga një institucion publik duhet të ruajë një zinxhir të qartë llogaridhënieje njerëzore ligjore.
Së katërti, demokracitë duhet të krijojnë një sistem të përbashkët paralajmërimi të hershëm në mënyrë që të dhënat e manipulimit të drejtuar nga Inteligjenca Artificiale të mund të rrugëtojnë midis të gjitha vendeve me mendësi të njëjtë po aq shpejt sa dhe vetë manipulimi. Si vende më të vogla e gjuhë të vogla, nuk duhet të braktisen jashtë kësaj “arkitekture” mbrojtëse. Sovraniteti digjital nuk mund të jetë një privilegj edhe njëherë rezervuar për shtetet më të pasura.
Gënjeshtrat “udhëtojnë” pa viza. Gënjeshtrat nuk duan t’ia dinë për mure, për kontrolle kufiri. Algoritmet i kapërcejnë kufijtë pa pasur nevojë për ndonjë pasaportë e pa frikën e ndonjë lloj qeverie. Ata që sulmojnë vendet tona bashkëpunojnë tashmë përtej juridiksioneve. Vendet tona, demokracitë tona së pari e mbi të gjitha, duhet të mësojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo nuk është në fund të fundit një garë midis njerëzimit dhe makinave, është një garë midis qëllimeve të ndryshme njerëzore, secili prej të cilave amplifikohet nga makinat; midis atyre që përdorin Inteligjencën Artificiale për të ndriçuar dhe atyre që e përdorin për të mbjellë terr; midis atyre që e përdorin për të fuqizuar njerëzit, qytetarët e tyre dhe atyre që e përdorin për t’i manipuluar ata, midis atyre që pranojnë përgjegjësi dhe atyre që fshihen pas automatizimit. Nuk duhet të trembeni që makinat do të bëhen më njerëzore. Duhet të kemi frikë që qeniet njerëzore të mos bëhen të padukshme pas makinave.
Të dashur miq, çdo brezi i bëhet thirrje të mbrojë lirinë në një territor ku liria është nën kërcënim. Për një brez territori ishte fushëbeteja, për një tjetër ishte kutia e votimit. Për tonin është shumë i qartë, është mendja njerëzore. Le të sigurohemi që asnjë qytetar të mos lihet i vetëm përballë një ushtrie gjithmonë e më tmerruese algoritmike, le të sigurohemi që asnjë komb i vogël të mos detyrohet të huazojë kuptimin e realitetit nga jashtë kufijve të vet.
Le të sigurohemi që asnjë demokraci të mos zgjohet pa asnjë palë zgjedhjeje për të zbuluar se qytetarët e vetë kanë ushtruar lirinë e tyre të zgjedhjes brenda një bote të projektuar në mënyrë të fshehtë për ta nga dikush që as nuk mund ta shohin e as nuk e dinë që është fuqia pas zgjedhjes së tyre.
Inteligjenca artificiale nuk do të vendosë nëse ky shekull i përket lirisë apo manipulimit. Ne do ta vendosim. Makina do të bindet. Pyetja është kujt do t’i bindet? Sipas cilit ligj dhe në shërbim të cilit qëllim njerëzor.
Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e vetë modeste. Ne kemi zgjedhur përshpejtimin, jo dorëzimin. Kemi zgjedhur inovacionin, jo abdikimin. Kemi zgjedhur rritjen e jo atrofizimin e aftësisë njerëzore. Kemi zgjedhur lirinë e shprehjes. E dimë ç’do të thotë të jetosh pa të. E pikërisht sepse e kemi zgjedhur, refuzojmë ta ngatërrojmë me lirinë e pakontrolluar të makinave, parave dhe fuqive të huaja për të mbërritur te gjithkush gjithkund pa asnjë llogari. Ne zgjedhim të vërtetën jo sepse e vërteta është gjithmonë e lehtë apo e rehatshme, por sepse pa një angazhim të përbashkët ndaj realitetit nuk mund të kemi një jetë të përbashkët publike. E pa këtë angazhim prej të gjithëve ne ndaj realitetit të botës ku jetojmë do të jemi të angazhuar. Do të përfshihemi në tradhtinë më të tmerrshme që prindërit e kësaj bote në historinë e njerëzimit do të kenë bërë kundrejt fëmijëve të tyre. E pa një botë të përbashkët nuk mund të ketë Kombet e Bashkuara.
Këtu përfundon predikimi im në shkretëtirë dhe shpresa që kam që është në fakt vendi i fundit ku mbështetem.
Faleminderit!
© 2026 Argumentum





















































