Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi do të mbledhë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në datën 28 janar, në orën 12:00, në Kryesinë e Kuvendit.
Mbledhja është thirrur për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, për Belinda Ballukun.
Gjithashtu, Kuvendi njoftoi se më datë 19 janar do të nisë sesioni i ri parlamentar, ku në orën 11:00 do të zhvillohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, me rend dite miratimin e projektprogramit të punimeve të Kuvendit.
Po ashtu, më datë 19, ora 17:00 është thirrur mbledhja e Kuvendit në seancë plenare. Seanca plenare do të shënojë hapjen e Sesionit II të Legjislaturës XI dhe do të zhvillohet me rend dite procedurial, i cili përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së mëparshme si dhe njoftime, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Ndërkaq, në datën 20 janar, ora 11:00, është thirrur mbledhja e Byrosë së Kuvendit, me rend dite që përfshin shqyrtimin e çështjeve me natyrë procedurale dhe organizative./ATA





























































