Kryeministri japonez, Fumio Kishida, ka shpëtuar i padëmtuar pasi u vu në shënjestër të një mjeti shpërthyes të shtunën në mëngjes.
Ky atentat vjen më pak se një vit pasi ish-kryeministri i vendit, Shinzo Abe, u qëllua për vdekje teksa mbante një fjalim në fushatë.
Kishida u evakuua në mënyrë të sigurtë pas incidentit, ndërsa një i dyshuar – i quajtur nga mediat japoneze si Ryuji Kimura, 24 vjeç, banor i prefekturës Hyogo – u arrestua në vendngjarje, thanë raportet.
Kishida po vizitonte portin Saikazaki në prefekturën Wakayama, në Japoninë perëndimore, për të mbështetur kandidatin e partisë së tij qeverisëse Liberal Demokratike në zgjedhjet lokale, kur një pajisje shpërtheu.
Transmetuesi publik japonez NHK tha se askush nuk u lëndua në sulm dhe Kishida u dërgua në selinë e policisë prefekturale të Wakayama.
Kur ai rifilloi fjalimet e tij të fushatës, Kishida tha: “Policia po heton detajet e zhurmës së fortë shpërthyese në vendin e fjalimit të mëparshëm. Më vjen keq që shqetësoj shumë njerëz. Jemi në mes të një zgjedhjeje të rëndësishme për vendin tonë. Ne duhet të vazhdojmë së bashku.”
Në fund të këtij muaji në Japoni mbahen zgjedhjet parazgjedhore parlamentare dhe ato lokale.