Komisioni Europian mbështet si vendimin e Presidentit Ilir Meta për të rikthyer për shqyrtim në Kuvend një nga ligjet e paketës së ashtuquajtur “antishpifja”, ashtu edhe vendimin e Parlamentit për të shtyrë shqyrtimin e dekretit presidencial deri kur Komisioni i Venecias të japë opinionin e tij për çështjen në fjalë.
Komisioni është aktivizuar për këtë çështje pas një shqetësimi të ngritur nga eurodeputeti Dominique Bilde për përputhshmërinë e dy projektligjeve me standardet europiane të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias.
“Në janar 2020, Presidenti riktheu për shqyrtim paketë tek Parlamenti, që vendosi të shtyjë votimin mbi propozimin në fjalë dhe kërkoi një mendim të Komisionit të Venecias. Komisioni mirëpret këto zhvillime dhe pret opinionin e Venecias për çështjen në fjalë”, thotë Komisioni Europian në një deklaratë zyrtare në emër të Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
Komisioni thekson se liria e shprehjes dhe e medias është një prej shtyllave thelbësore të demokracisë dhe kushtëzon fort procesin e zgjerimit. “Si një vend kandidat, presim nga Shqipëria që të përshtat dhe përputhë të gjithë legjislacionin e saj me standardet ndërkombëtare të Bashkimit Europian në të gjitha fushat”, thotë KE.
Problematikën me draftin në fjalë e njeh edhe Komisioni Europian, që thotë se pret nga autoritetet që të adresojnë të gjitha shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile, media dhe komuniteti ndërkombëtar mbi përmbajtjen e këtij drafti./h.e