Kryeministri Edi Rama është pyetur nga Deutsche Welle për lajmin se zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është thirrur nga SPAK. Rama ka theksuar se, deri sa çështjet të marrin një vendim të prerë nga drejtësia, të gjithë individët janë të pafajshëm, duke theksuar besimin e tij në proceset gjyqësore dhe në punën e drejtësisë.
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë dhe drejtësia ka punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe e mediave që i shërbejnë politikës”, u shpreh Rama.
Në mediat shqiptare, analistët sugjerojnë se, me këtë reagim, kryeministri Rama po distancohet nga Balluku. Situata duket të jetë e ngjashme me atë të Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt. Njëri prej tyre ka ikur nga Shqipëria, ndërsa tjetri është përfshirë në hetime dhe mund të përballet me pasoja ligjore. Ky ndryshim në qëndrimin e Ramës ndaj aleatëve të tij të ngushtë krijon një atmosferë të paqartë për të ardhmen politike të qeverisë.
Rënia e numrit dy të qeverisë, si dhe hetimet ndaj personave të tjerë të nivelit të lartë, ngre pyetje mbi mundësinë që qeveria të vazhdojë të mbajë besueshmërinë e brendshme dhe ndërkombëtare, sidomos në periudhën që Shqipëria po përpiqet të përparojë drejt integrimit europian.
Analistët theksojne se, nëse kjo situatë vazhdon, rënia e numrit dy të qeverisë mund të jetë një shenjë e dobësimit të autoritetit të kryeministrit Rama, duke sjellë mundësinë e një destabilizimi të brendshëm politik.
Rama ndodhet në Berlin për të marrë pjesë në Global Dialogue (BGD), forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Gjermanisë.
/Argumentum.al





























































