Me ftesë të presidentes së Senatit Australian Sue Lines dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Milton Dick, kryetari i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) Zhao Leji zhvilloi një vizitë zyrtare miqësore në Australi nga 22 deri më 25 nëntor. Në Kanberrë ai u takua me Guvernatoren e Përgjithshme Samantha Mostyn, mori pjesë në një mëngjes pune të organizuar nga kryeministri Anthony Albanese dhe zhvilloi bisedime me presidenten e Senatit Sue Lines dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Milton Dick.
Gjatë takimit me Mostyn-in, Zhao përcolli fillimisht përshëndetjet e përzemërta dhe urimet më të mira të presidentit Xi Jinping. Kryeparlamentari kinez deklaroi se, në vitet e fundit, nën udhëheqjen strategjike të presidentit Xi Jinping dhe udhëheqësve australianë, marrëdhëniet Kinë-Australi janë rikthyer në rrugën e duhur të zhvillimit të qëndrueshëm e pozitiv. Kina dhe Australia kanë epërsi të forta ekonomike përplotësuese, një bazë të fortë për bashkëpunim pragmatik dhe perspektiva të gjera. Pala kineze është e gatshme të thellojë shkëmbimet dhe bashkëpunimin me palën australiane në fusha të ndryshme dhe të promovojë krijimin e një partneriteti të gjithanshëm strategjik më të pjekur, të qëndrueshëm e të frytshëm midis të dy vendeve.
Ndërsa Mostyn vuri në dukje se Australia dhe Kina kanë zhvilluar bashkëpunim të mirë në tregti, kulturë, arsim e fusha të tjera dhe marrëdhëniet dypalëshe kanë vazhduar të thellohen. Kina do të presë samitin e APEC-ut në vitin 2026, i cili është thelbësor për ruajtjen dhe promovimin e multilateralizmit. “Ne presim me padurim suksesin e samitit. Australia është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të tilla si infrastruktura e gjelbër, tranzicioni energjetik, ndryshimet klimatike dhe mbrojtja e të drejtave të grave,” u shpreh ajo.
Në një mëngjes pune të organizuar nga kryeministri Anthony Albanese, Zhao Leji deklaroi se kthesa në marrëdhëniet Kinë-Australi dhe rifillimi i dialogut e i bashkëpunimit në fusha të ndryshme janë mirëpritur dhe mbështetur gjerësisht nga të gjithë sektorët e të dy vendeve. Nuk ka konflikt themelor interes midis Kinës e Australisë, u shpreh Zhao, duke shtuar që Kina i është përmbajtur gjithmonë rrugës së zhvillimit paqësor, zhvillimit me cilësi të lartë dhe zgjerimit të hapjes në nivel të lartë. Kina është e gatshme të zhvillojë bashkëpunim me dobi të ndërsjellë dhe të ndajë mundësitë e zhvillimit me të gjitha vendet, përfshirë Australinë. “Ne duhet të konsolidojmë dhe thellojmë bashkëpunimin në fusha të tilla si energjia dhe industria minerare, inovacioni teknologjik, ekonomia digjitale dhe infrastruktura. Çështje të tilla si Tajvani, Hong-Kongu, Xizang-u, Xinjiang-u dhe Deti i Kinës Jugore kanë të bëjnë me sovranitetin territorial dhe interesat thelbësore të Kinës. Shpresojmë që Australia do ta kuptojë dhe respektojë qëndrimin e Kinës,” theksoi kryeparlamentari kinez.
Albanese deklaroi se themeli aktual për zhvillimin e marrëdhënieve Australi-Kinë është i fortë. Pala australiane është e përkushtuar për të forcuar bashkëpunimin me palën kineze dhe e mbështet Kinën për organizimin e samitit të APEC-ut vitin e ardhshëm. Tregtia midis Australisë dhe Kinës është rritur me shpejtësi vitet e fundit dhe shkëmbimet në fushat e turizmit, arsimit e kulturës e ndihmojnë brezin e ri të përjetojë kultura të ndryshme dhe të zhvillojë miqësi të qëndrueshme. Australia është e gatshme të mbajë komunikim të rregullt me Kinën për të promovuar zhvillimin e vazhdueshëm të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe, tha ai.
Gjatë bisedimeve me Lines dhe Dick, Zhao Leji theksoi se Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës është e gatshme të punojë me Parlamentin Federal Australian për të zbatuar konsensusin e rëndësishëm të arritur nga udhëheqësit e dy vendeve, për të forcuar shkëmbimet e organeve legjislative në të gjitha nivelet, për të shfrytëzuar pikat e forta të komisioneve të specializuara dhe deputetëve të parlamentit australian e anëtarëve të AKP-së, për të shtuar dialogun e shkëmbimet dhe për të rritur qëndrueshmërinë dhe efektivitetin e bashkëpunimit, duke ofruar garanci ligjore për bashkëpunimin pragmatik midis dy vendeve. Zhao Leji shtjelloi frymën e plenumit të katërt të Komitetit të 20-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), si edhe situatën në lidhje me hapjen ndaj botës së jashtme dhe zgjerimin e kërkesës së brendshme, duke vënë në dukje që organet legjislative të të dy vendeve mund të kryejnë shkëmbime e mësim të ndërsjellë mbi legjislacionin e jashtëm dhe krijimin e një mjedisi të favorshëm biznesi.
Lines u shpreh që shkëmbimet dhe bashkëpunimi midis organeve legjislative ndihmojnë në nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe. Dialogu është çelësi i marrëdhënieve dypalëshe, dhe bashkëpunimi ekonomik e tregtar është themeli i tyre, tha ajo, duke shtuar që një marrëdhënie e qëndrueshme tregtare është e rëndësishme për të dy vendet. Australia mirëpret investimet kineze dhe do të forcojë bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët.
Ndërsa Dick tha se zhvillimi i marrëdhënieve Australi-Kinë ka krijuar më shumë mundësi për tregtinë dypalëshe. Gjatë dy vjetëve të fundit, shkëmbimet midis organeve legjislative të dy vendeve kanë qenë pozitive, duke çuar në vizita reciproke. “Ne mirëpresim zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Australi-Kinë e bashkëpunimin midis organeve legjislative të të dy vendeve,” theksoi ai./CGTN





























































