Presidenti Ilir Meta e cilësoi sot “tejet zhgënjyes, votimin kundër të mazhorancës ndaj projektrezolutës së paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë për njohjen dhe dënimin e genocidit të serbëve të Bosnjë-Hercegovinës në Srebrenicë në korrik të 1995”.
“Në kushtet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm rus kundër Ukrainës, dhe kur në rajonin tonë vërehen përpjekje të shtuara për të mohuar genocidin serb në Srebrenicë dhe për të glorifikuar kriminelët e luftës, seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të shprehte me solemnitet dhe vendosmëri të plotë vullnetin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar kundër genocidit barbar, që mori jetët e 8372 njerëzve në Srebrenicë”, tha Meta.
Postimi i plotë
“Tejet zhgënjyes votimi KUNDËR i mazhorancës ndaj projekt-rezolutës së paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të serbëve të Bosnje-Hercegovinës në Srebrenicë në korrik të 1995.
Në kushtet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm rus kundër Ukrainës, dhe kur në rajonin tonë vërehen përpjekje të shtuara për të mohuar gjenocidin serb në Srebrenicë dhe për të glorifikuar kriminelët e luftës, seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të shprehte me solemnitet dhe vendosmëri të plotë vullnetin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar kundër gjenocidit barbar, që mori jetët e 8372 njerëzve në Srebrenicë.
Jam tejet i keqardhur që deputetë të Kuvendit të Shqipërisë shtrembërojnë në mënyrë të pamerituar dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, të cilët e kanë treguar me vepra se janë kundër spastrimeve etnike, dhe në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor”.
/Argumentum.al