Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se BE-ja është e angazhuar që të rinisë dialogu sa më shpejt.
Gjatë një konference për mediat, Lajçak deklaroi se dëshiron që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Miroslav Lajçak: ”Kjo është vizita ime e parë si përfaqësues i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë rast pata një takim në emër të 27 vendeve të BE-së. Bashkimi Europian është shumë serioz kur bëhet fjalë për këtë proces dhe mandati im është për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë që do të rregullonte të gjitha marrëveshjet mes dy vendeve. Unë pres që këtë procesim ta përcjellim me sukses ashtu siç ka filluar në vitin 2011.”
Lidhur me takimin e thirrur më 27 qershor në Washington, Lajçak la të nënkuptoi se do që dialogu të nisë në Bruksel.
Miroslav Lajçak: ”Shpresojmë që ky proces, të vazhdojë dhe do të ketë takim së shpejti edhe në Bruksel. Ajo që di është se Bashkimi Europian ka punuar afër me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka që është arritur në dialog është rezultat i një bashkëpunimi shumë të ngushtë mes BE-së dhe SHBA-s.”
Lajçak ka thënë se do të vazhdojë të komunikojë me presidentin Thaçi dhe liderët tjerë politikë në Kosovë.