Lavrov dhe Blinken zhvillojnë bisedën e parë telefonike që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se ka biseduar me homologun e tij rus për herë të parë në gati gjashtë muaj për t’i bërë presion Moskës që të pranojë një propozim të SHBA-së për lirimin e dy amerikanëve të arrestuar në Rusi.

Blinken nuk pranoi të përshkruante përgjigjen e ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov ndaj “propozimit të rëndësishëm” që SHBA-ja bëri javë më parë, por tha se ishte “e rëndësishme” që Lavrov të dëgjonte drejtpërdrejt nga ai për këtë çështje.

“I kërkova ministrit të Jashtëm Lavrov çojë përpara propozimin”, tha Blinken, duke e përshkruar bisedën si “të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë”.

Bëhet fjalë për lirimin e shtetasve amerikanë Brittney Griner dhe Paul Whelan që mbeten në paraburgim rus.

31-vjeçarja Griner është një basketbolliste e cila u arrestua në shkurt pasi autoritetet ruse thanë se kishin gjetur vaj marihuane në zotërimin e saj. Ajo u deklarua fajtore më herët në korrik për akuzat për drogë, por ka pohuar se ka përdorur kanabis medicinal për të trajtuar dhimbjen dhe ka mohuar se synonte të shkelte ligjin rus.

Ndërkohë, Whelan është mbajtur në Rusi që nga viti 2018 me akuza për spiunazh.

SHBA nuk ka ofruar detaje rreth propozimit, por CNN raportoi të mërkurën se administrata Biden ofroi shkëmbimin e trafikantit të dënuar rus të armëve Viktor Bout për dy amerikanët.

Sipas CNN, Bout aktualisht po vuan një dënim me 25 vjet burg dhe Departamenti i Drejtësisë ka shprehur kundërshtimin ndaj shkëmbimit të mundshëm.

Përveç ofertës së SHBA-së, Blinken tha se ai “i bëri të qartë” Rusisë se aneksimi i mundshëm i territorit shtesë ukrainas “nuk do të pranohej kurrë”.

“Bota nuk do të njohë aneksimet. Ne do t’i imponojmë Rusisë kosto shtesë të konsiderueshme nëse ajo çon përpara planet e saj”, tha ai, duke shtuar:

“Ne gjithashtu do të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën, të mbështesim aftësinë e saj për të mbrojtur veten dhe do t’i imponojmë kosto Rusisë derisa ajo t’i japë fund agresionit të saj”.

/Argumentum.al