Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku publikoi disa numra kontaktesh për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve me informacionet e nevojshme për t’u rikthyer në Shqipëri.
“Qeveria shqiptare është e angazhuar për të realizuar me sukses riatdhesimin tuaj, por pa cenuar asnjë nga masat dhe rregullat e vendosura për mbrojtjen nga COVID-19. Vetëm së bashku mund ta fitojmë këtë luftë me armikun e padukshëm”, u shpreh ajo.
Balluku më herët bëri të ditur se për fazën e dytë të riatdhesimeve, Roma dhe Milano janë dy destinacionet e para.
“Kemi përcaktuar dy destinacionet e para që janë Romë dhe Milano por ndërkohë që po punojmë me destinacione të tjera që është Gjermani dhe Franca si dy pika ku ka kërkesë të lartë për riatdhesim”, tha ajo.
Sipas saj, operacioni i riatdhesimit nuk ka një afat skadence. “Pra, nuk është si herën e parë që ishte për grupet në nevojë por është një operacion i cili do të vazhdojë. Do të jetë sipas kërkesave të të gjithë qytetarëve që duan të kthehen në vend”, shtoi Balluku.
Në një bashkëpunim të ngushtë mes ministrive të përfshira në këtë proces, ministrja Balluku ka bërë të ditur se është krijuar një mekanizëm i sigurt për riatdhesimin, një mekanizëm, i cili nuk do të afektojë rezultatet pozitive që kemi arritur deri tani për mbrojtjen ndaj përhapjes së COVID-19.
Për çdo paqartësi qytetarët shqiptarë mund të kontaktojnë nga ora 8:00 deri në orën 18:00 në numrat e vendosur në dispozicion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
+355 4 224 60 00
+355 69 80 47 619
+355 69 80 47 625