Kancelari gjerman, Friedrich Merz synon t’u përgjigjet kërkesave të Belgjikës dhe të vërë në dispozicion asetet e bankës qendrore ruse të mbajtura në Gjermani për mbështetjen e Ukrainës, kanë bërë të ditur burime diplomatike.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për të gjetur një zgjidhje që të mbulojë nevojat ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës në vitet në vijim.
Komisioni Evropian ka propozuar që Ukrainës t’i ofrohen deri në 210 miliardë euro (246 miliardë dollarë) nga asetet ruse të bllokuara në BE, në formën e një kredie reparacionesh.
Prej kësaj shume, rreth 90 miliardë euro synohen të mbulojnë nevojat financiare dhe ushtarake për vitet 2026 dhe 2027.
Gjermania kishte argumentuar prej kohësh në Bruksel se fillimisht duhet të përdoren rreth 185 miliardë euro të fondeve të bankës qendrore ruse të administruara nga kompania belge ”Euroclear”.
Një nga arsyet e hezitimit të Berlinit ishte se në Gjermani mbahej vetëm një shumë relativisht e vogël, në rendin e qindra milionë eurove. Megjithatë, shuma e saktë mbahet sekret nga qeveria gjermane.
Qeveria belge ka kërkuar që të gjitha vendet e BE-së që mbajnë asete ruse të ngrira të marrin pjesë në skemën e financimit, me qëllim uljen e rrezikut që Belgjika të bëhet objektivi i vetëm i masave hakmarrëse të mundshme.
Brukseli ka shprehur shqetësime se Moska mund të ndërmarrë kundërmasa ndaj individëve dhe kompanive private evropiane, për shembull përmes shpronësimeve në Rusi, dhe ka kërkuar vendosjen e mekanizmave mbrojtës.
Përveç Belgjikës, asete ruse të ngrira mbahen edhe në Gjermani, Francë, Suedi, Qipro dhe Luksemburg, ndonëse sipas Komisionit shumica e fondeve të përdorshme janë të përqendruara në Francë./dpa-argumentum.al





























































