Qeveria shqiptare, nëpërmjet një akti normativ, ndryshoi buxhetin e vitit 2020, duke bërë ndërhyrje në krahun e shpenzimeve dhe kufirin e borxhit publik, por jo tek të ardhurat. Ky është ndryshimi i dytë brenda një kohe të shkurtër, pas atij të mesit të marsit, i diktuar nga situata e jashtëzakonshme që ka krijuar pandemia e Covid-19.
Sipas aktit normativ, kufiri i borxhit publik u rrit me 14, 9 miliardë lekë (116 mln euro) ose me 1%. Në raport me PBB-në e vitit 2019, borxhi publik është rritur me 0,8% me ndërhyrjet e fundit.
Sipas ndryshimeve, rritja e borxhit publik do të përdoret për të fuqizuar fondin rezervë të Këshillit të Ministrave. Qeveria ka marrë ndërkohë më herët 174 milionë euro nga FMN përmes aktivizimit të Instrumentit të Shpejtë të Financimit (RFI), ndërsa ka siguruar në tregun e brendshëm 100 milionë euro, përmes emetimit të obligacioneve me interes fiks dyvjeçar.
Me ndryshimet e fundit në buxhet, Fondi i Rezervë i qeverisë shkon në rreth 16,2 miliardë lekë ose 116 milionë euro nga 1.7 miliardë lekë që ishte planifikuar në ligjin e buxhetit 2020, ku pjesa më e madhe tij do të përdoret për financimin e paketës sociale akti-Covid.
Gjithashtu akti normativ shkurtoi shpenzimet e qeverisë qendrore me rreth 5,5 miliardë lekë, duke i çuar në 407,2 miliardë lekë.