Qeveria e Sllovakisë miratoi të premten një plan për t’i dhënë Ukrainës 13 avionë luftarakë të kohës sovjetike, MiG-29, duke u bërë vendi i dytë anëtar i NATO-s që dëgjon kërkesat e qeverisë ukrainase për avionë luftarakë, për të ndihmuar në mbrojtjen e saj kundër pushtimit të Rusisë.
Kryeministri sllovak Eduard Heger, duke njoftuar vendimin gjatë një konference për media, tha se qeveria e tij ishte “në anën e duhur të historisë”.
Më herët, Heger shkroi në Twitter se ndihma ushtarake ishte thelbësore për të siguruar që Ukraina të mund të mbronte veten dhe të gjithë Evropën kundër Rusisë.
Polonia njoftoi të enjten se edhe ajo do t’i japë Ukrainës disa avionë MiG-29, duke filluar me katër që pritet të dorëzohen në ditët në vijim. Si Polonia, ashtu edhe Sllovakia ishin shprehur të gatshme edhe më parë të plotësonin kërkesat e Ukrainës për avionë ushtarakë, por vetëm si pjesë e një koalicioni më të gjerë ndërkombëtar.
Kremlini ka kërcënuar se do të shkatërrojë çdo avion luftarak dhënë Ukrainës nga aleatët e tij, pasi dy vende premtuan avionë të epokës sovjetike.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov dënoi planet e vendeve të NATO-s, duke thënë se avioni nuk do të ndikojë në rezultatin e “operacionit special ushtarak” të Moskës, siç e quan ajo luftën, por vetëm “do të sjellë fatkeqësi shtesë për Ukrainën dhe popullin ukrainas”.
“Sigurisht, gjatë operacionit special ushtarak, e gjithë kjo pajisje do t’i nënshtrohet shkatërrimit”, shtoi ai.