Në fjalimin e mbajtur të enjten në konferencën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në përkujtim të Ditës së 1-rë Ndërkombëtare kundër Kolonializmit në të Gjitha Format dhe Shfaqjet e Tij, përfaqësuesi kinez Fu Cong u shpreh që bota ende nuk ka dalë nga hija e kolonializmit dhe se duhet të kundërshtohen me vendosmëri të gjitha thëniet dhe veprimet që sfidojnë ose orvaten ta përmbysin rendin ndërkombëtar të pasluftës.
A tha që, si vend i mundur në Luftën e Dytë Botërore, Japonia duhet të reflektojë thellësisht mbi fajet e saj historike, t’u përmbahet premtimeve politike për çështjen e Tajvanit, të ndërpresë menjëherë provokimet dhe të tërheqë thëniet e gabuara.
“Dita Ndërkombëtare kundër Kolonializmit në të Gjitha Format dhe Shfaqjet e Tij synon ta nxitë bashkësinë ndërkombëtare të kujtojë dëmet e kolonializmit, të përshpejtojë procesin e çkolonizimit dhe t’i japë fund kolonializmit në të gjitha format. Zhvillimi këtë vit i konferencës në përkujtim të ditës së parë ndërkombëtare nga Asambleja e Përgjithshme të OKB-së ka rëndësi të madhe,” vuri në dukje Fu.
Përfaqësuesi kinez theksoi se historia e Luftës Antifashiste Botërore tregon që për paqen duhet luftuar dhe se ajo duhet të mbrohet. Pas fitores së Luftës së Dytë Botërore, gjyqet ndaj kriminelëve të luftës nga Gjykata Ushtarake Ndërkombëtare e Nurembergut dhe Gjykata Ushtarake Ndërkombëtare për Lindjen e Largët siguruan që fajtorët që nisën luftën agresive dhe lyen duart me gjakun e njerëzve nga vende të ndryshme, të merrnin ndëshkimin e duhur, duke i gozhduar përgjithmonë kriminelët e luftës në shtyllën e turpit të historisë. Drejtësia e këtyre gjyqeve është e palëkundur dhe nuk mund të sfidohet. Në histori, Japonia pushtoi Kinën, Gadishullin Korean dhe Azinë Juglindore, ku ushtroi një sundim kolonial çnjerëzor. “Agresorët japonezë kryen krime të panumërta në Tajvan, mbi 650 mijë bashkatdhetarë tajvanezë u vranë nga ushtria japoneze, afërsisht 200 mijë të rinj tajvanezë u detyruan të rekrutoheshin në trupat japoneze dhe mbi 2000 femra tajvaneze u detyruan të bëheshin skllave seksi. 70% e tokës së Tajvanit u pushtua dhe burimet e minierave të qymyrit, të arit etj. u shfrytëzuan në mënyrë shkatërruese. Ky është kapitulli më i errët në historinë e Tajvanit,”, theksoi ai.
Më tej Fu Cong shtoi: “Ne duhet të mbrojmë me vendosmëri frytet e fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe të Luftës Antifashiste Botërore, të mbrojmë me vendosmëri rendin ndërkombëtar të pasluftës dhe të mos lejojmë mohimin ose shtrembërimin e historisë së agresionit, rigjallërimin e militarizmit dhe përsëritjen e tragjedive historike. Të gjitha thëniet dhe veprimet që sfidojnë ose orvaten ta përmbysin rendin ndërkombëtar të pasluftës mund të krijojnë paqëndrueshmëri në botë dhe t’i sjellin fatkeqësi serioze bashkësisë njerëzore, kështu që ne duhet të jemi shumë vigjilentë e t’i kundërshtojmë ato me vendosmëri.” /cgtn





























































