Policia izraelite rrah pjesëmarrësit në funeralin e gazetares së Al Jazeera

Policia izraelite të premten shtyhu dhe rrahu pjesëmarrësit në funeralin e gazetares së vrarë të Al Jazeera, Shireen Abu Akleh. Për shkak të ndërhyrjes së policisë, personat që mbanin arkivolin e gazetares për pak kohë e rrëzuan atë. Funerali i gazetares, Shireen Abu Akleh, u shndërrua në shfaqjen ndoshta më të madhe të nacionalizimit palestinez, që është parë në kohët e fundit.

Këto skena të dhunës me gjasë do të rrisin zemërimin në gjithë botën arabe, pas vdekjes së Abu Akleh, e cila, sipas dëshmitarëve, u vra nga trupat izraelite të mërkurën gjatë një bastisjeje në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Abu Akhel, 51 vjeçe, ishte një gazetare e njohur në mbarë botën arabe, dhe ishte sinonim i raportimit të Al Jazeeras për jetën nën sundimin izraelit. Gazetarja, që kishte 25 vjet përvojë në këtë televizon, nga palestinezët është parë si një heroinë.

Të premten në mbrëmje, prokurori publik palestinez tha se gjetjet paraprake thonë se Abu Akleh u vra qëllimisht nga trupat izraelite. Prokuroria tha se hetimet për vdekjen e saj do të vazhdojnë. Ndërkaq, ushtria izraelite tha po të njëjtën ditë se ajo u vra gjatë këmbimit të zjarrit me militantët palestinezë dhe se mund të përcaktojë se kush e qëlloi për vdekje gazetaren.

Në funeralin e gazetares, mijëra persona valëvitën flamurin palestinez dhe brohoritën “Palestina! Palestina”. Ky funeral konsiderohet më i madhi në Jerusalem, qëkur Faisal Husseini, një lider palestinez, vdiq më 2001.

Para varrimit, një turmë e madhe u mblodh për të përcjellë arkivolin e saj nga një spital në lindje të Jerusalemit deri te një kishë katolike pranë Qytetit të Vjetër. Shumë prej pjesëmarrësve kishin flamuj palestinezë dhe turma filloi të brohoriste “Ne sakrifikojmë shpirtin dhe gjakun tonë për ty, Shireen”.

Pas kësaj, policia izraelite ndërhyri duke shtyrë të pranishmit. Policia më pas filloi të godiste të pranishmit, ku një person nga goditjet humbi kontrollin dhe lëshoi arkivolin e gazetares në tokë. Policia grisi flamujt palestinezë dhe hodhi shok-bomba për të shpërndarë të pranishmit.

Vëllai i Abu Akleh, Tony, tha se këto skena “dëshmuan se raportimet e Shireeen dhe fjalët e sinqerta… kishin një ndikim të madh”.

Gazetarja e Al Jazeeras, Givara Budeiri, tha se kjo shtypje e policisë ishte sikurse Abu Akleh të vritej sërish.

“Duket se zëri i saj nuk ka heshtur”, tha ajo.

Jerusalemi Lindor, që është shtëpi e vendeve të shenjta të hebrenjve, myslimanëve dhe të krishterëve, u pushtua nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme më 1967. Izraeli thotë se i gjithë qyteti është kryeqyteti i shtetit dhe ka aneksuar pjesë në lindje, por komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh si kryeqytet të Izraelit.

Palestinezët pretendojnë se Jerusalemi Lindor do të jetë kryeqytet i shtetit të tyre të ardhshëm. Izraeli në vazhdimësi shtyp shfaqjen e mbështetjes për shtetësinë palestineze.

REL