Armë, municion dhe mjete të tjera ilegale ka gjetur sërish Policia e Kosovës në veri të vendit.
Sipas njoftimit të organeve të rendit, ky arsenal armësh u gjet sot gjatë një aksioni në një bodrum kolektiv të një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostroshki”, në Mitrovicë të Veriut.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit janë konfiskuar: 3 armë të gjata, 1 tytë vazhduese, 1 kondak për armë të gjatë, 764 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 14 karikatorë, 10 krehër për fishekë, 1 granatë dore tymuese, 2 antiplumb ushtarak, 4 mostër ADN-je të mundshme, 2 xhaketa ushtarake, 1 bluzë dhe 1 palë pantallona të uniformës ushtarake dhe mbështjellës me material tekstili dhe shirita ngjitës.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftim.
Në këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë. /KosovaPress/




























































