Presidenti Ilir Meta pati sot një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ndërsa ndodhet për vizitë zyrtare në Kosovë. Meta e cilësoi shumë të përzemërt pritjen nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke theksuar se pati kënaqësinë të zhvillonte një bisedë tepër të frytshme.
“Duke vlerësuar marrëdhëniet vëllazërore mes vendeve tona dhe potencialin e jashtëzakonshëm për forcimin e tyre, theksova rëndësinë e konkretizimit efikas të marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara”, u shpreh Meta në një postim në rrjetet sociale.“Jetik realizimi i projekteve të përbashkëta që afrojnë edhe më shumë qytetarët tanë, si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë, me impakt në ekonominë e të dy vendeve dhe të rajonit, që do na bashkojnë më shumë dhe do ndalnin hemoragjinë demografike që na ka prekur”, vijoi Meta.“Nevojitet më shumë koordinim edhe në politikën e jashtme dhe rajonale, në përputhje me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian”, tha ai.“Lidhur me bashkëpunimin rajonal, ndamë të njëjtin vlerësim në përkrahje vetëm të nismave gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit.
Kosova është bërë shembull i demokracisë, luftës kundër krimit e korrupsionit, sundimit të ligjit dhe europianizimit në rajon, e vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare, që meriton sa më parë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj”, përfundoi Meta.