Qindra demonstrues, kryesisht mbështetës të liderit shiit të Irakut, Muqtada al-Sadr, hyjnë në Zonën e Gjelbër të fortifikuar rëndë në shenjë proteste ndaj emërimit të një blloku rival për kryeministër.
Qindra demonstrues irakianë, shumica prej të cilëve ndjekës të liderit shiit irakian Muqtada al-Sadr, kanë sulmuar ndërtesën e parlamentit në Bagdad për të protestuar kundër nominimit për kryeministër nga partitë e mbështetura nga Irani, raporton Al Jazeera
Asnjë ligjvënës nuk ishte i pranishëm në parlament kur protestuesit depërtuan në Zonën e Gjelbër të sigurisë së lartë të kryeqytetit, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe misionet diplomatike, të mërkurën.
Vetëm forcat e sigurisë ishin brenda ndërtesës dhe u duk se i lejuan protestuesit të hynin me lehtësi.
Protestuesit kundërshtojnë kandidaturën e Mohammed Shia al-Sudani, një ish-ministër dhe ish-guvernator provincial, i cili është i zgjedhuri i Kornizës Koordinuese pro-Iranit për kryeministër.
Kryeministri Mustafa al-Kadhimi u bëri thirrje protestuesve që të “tërhiqen menjëherë” nga Zona e Gjelbër.
Ai paralajmëroi në një deklaratë se forcat e sigurisë do të kujdeseshin për “mbrojtjen e institucioneve shtetërore dhe misionet e huaja dhe parandalimin e çdo dëmtimi të sigurisë dhe rendit”.
Demonstruesit dolën nëpër rrugët kryesore të Zonës së Gjelbër, me dhjetëra të mbledhur jashtë dyerve të ndërtesës së parlamentit.
Policia e trazirave u mblodh në dyert e portave kryesore. Demonstruesit u grumbulluan rreth dy hyrjeve në Zonën e Gjelbër, me disa që u ngjitën në murin e çimentos dhe brohoritën, “Al-Sudani, jashtë!”
/Argumentum.al