Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian pritet të sjellë mundësi të reja për të rinjtë në arsim, punësim, mobilitet dhe pjesëmarrje në programe evropiane. Këto çështje ishin në fokus të një diskutimi mes studentëve dhe profesionistëve të rinj në Europe House, ku u trajtua gjithashtu përvoja e Kroacisë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.
Aktiviteti me temë “Shqipëria dhe Kroacia: të rinjtë ndërtojnë një të ardhme të përbashkët evropiane” u organizua nga Unioni i Këshillave Studentorë dhe Ambasada e Republikës së Kroacisë në Shqipëri, në bashkëpunim me projektin EUIS, të financuar nga Bashkimi Evropian.
“Mos prisni që Europa t’ju ndryshojë. Ndryshoni fillimisht vendin tuaj dhe lejojeni Europën të jetë partneri juaj në këtë proces.” Ky ishte një nga mesazhet kryesore të ambasadorit të Kroacisë në Tiranë, SHTZ. Zlatko Kramarić, drejtuar studentëve dhe të rinjve shqiptarë, në këtë aktivitet.

Duke sjellë në vëmendje përvojën e Kroacisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, Kramarić theksoi se integrimi europian nuk është vetëm çështje e qeverive dhe institucioneve, por mbi të gjitha e qytetarëve, veçanërisht e brezit të ri. Ai u bëri thirrje të rinjve të kërkojnë një demokraci normale, funksionale dhe të përgjegjshme, me drejtësi të pavarur, media të lira, luftë kundër korrupsionit, institucione transparente dhe mundësi të barabarta.
“Reformat nuk janë një dënim. Reformat duhet të jenë burim gëzimi për qytetarët”, tha ambasadori, duke nënvizuar se ato duhet të shërbejnë për ndërtimin e institucioneve më të mira dhe një shoqërie ku talenti vlen më shumë se lidhjet.
Duke u ndalur te “shpirti europian”, Kramarić theksoi se Europa nuk është vetëm një projekt institucional, por edhe një hapësirë vlerash, demokracie dhe përgjegjësie qytetare. Në këtë kuadër, ai përmendi edhe dorëshkrimin e tij mbi këtë temë dhe 15 esetë e botuara në Argumentum.al, me nismën e gazetares dhe kryeredaktores Marjana Doda, si pjesë e përpjekjes për të nxitur debatin mbi identitetin dhe të ardhmen europiane.

Sipas Kramarić, anëtarësimi në BE nuk i zgjidh automatikisht të gjitha problemet, por “ndryshon rregullat e lojës”, duke krijuar më shumë mundësi për arsimimin, lëvizjen, sipërmarrjen dhe zhvillimin e të rinjve.
Në përmbyllje, ambasadori u bëri thirrje studentëve të mos synojnë vetëm të jenë brezi që do të dëshmojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por brezi që do të mund të thotë: “Ne ndihmuam Shqipërinë të bëhej një demokraci europiane.”
Në fjalën e tij, Kramarić iu referua edhe thirrjes së Winston Churchill në Universitetin e Zyrihut, në vitin 1946: “Let Europe arise!” – “Le të ngrihet Europa!”, duke e lidhur atë mesazh me sfidat europiane të së sotmes.

Pjesëmarrësit u përshëndetën edhe nga Presidentja e Unionit të Këshillave Studentorë, Valbona Halitaj.
Gjatë aktivitetit prezantuan këshilltari diplomatik në Ambasadën e Republikës së Kroacisë, Vanja Gavran, dhe ekspertja e projektit EUIS, Andreja Tonč, të cilët trajtuan çështje që lidhen me integrimin evropian, përvojën kroate dhe perspektivën e Shqipërisë drejt BE-së.
Përvoja e Kroacisë u soll si një pikë referimi për Shqipërinë, duke ofruar një perspektivë mbi ndryshimet dhe mundësitë që sjell anëtarësimi në BE për brezin e ri, institucionet dhe shoqërinë.
Takimi synoi gjithashtu të forcojë informimin dhe përfshirjen e të rinjve shqiptarë në procesin e integrimit evropian, duke i nxitur ata të luajnë një rol më aktiv në debatin për të ardhmen e vendit.
Në qendër të diskutimeve është mesazhi se integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një proces institucional dhe reformash, por edhe një proces që mund të krijojë mundësi konkrete për brezin e ri shqiptar.
Në diskutimin e hapur morën pjesë të rinj nga fusha të ndryshme, mes tyre edhe studentë të College of Europe në Tiranë. Diskutimi u përqendrua te mundësitë që ofron integrimi evropian për brezin e ri, si dhe te roli i të rinjve në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.



Tryeza në Tiranë është pjesë e një cikli aktivitetesh që synojnë të nxisin dialogun dhe informimin e të rinjve mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë.
Cikli i tryezave të rrumbullakëta do të vijojë në Pogradec dhe Shkodër.
© 2026 Argumentum





















































