Kryeministri i vendit Albin Kurti, përmes një video-mesazhi ka reaguar për ngjarjet e fundit në Veri.
Ai thotë se ende pa filluar lëshimi i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në Veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh.
“Vuqiç dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesor për trazirat”, tha Kurti.
Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e don, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët.
“Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial”, tha kryeministri në një video mesazh.
Kryeministri apelon që të përcillen me vëmendje njoftimet nga qeveria, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejohet dezinformimi nga mediat e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre.