Tërmeti në Bosnjë-Hercegovinë shkaktoi një viktimë, u ndje dhe në Shqipëri

Një person humbi jetën dhe të paktën dy të tjerë mbetën të plagosur nga pasojat e një tërmeti të fortë që goditi Bosnjën të premten vonë.

Tërmeti prej 5.7 shkallësh bëri që shumë qytetarë të ikin nga shtëpitë e tyre.

Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC), tha se tërmeti goditi 42 kilometra në juglindje të Mostarit, në orën 23:07 sipas orës së Evropës Qendrore.

Një grua 28-vjeçare vdiq dhe prindërit e saj mbetën të plagosur pasi një shkëmb i shkëputur nga lëkundjet, goditi shtëpinë e tyre në Stolac, afër Mostarit.

Sipas autoriteteve lokale dhe atyre të mbrojtjes civile, tërmeti që goditi në një thellësi prej 5 kilometrash, gjithashtu rrëzoi mure dhe shkaktoi dëme materiale në disa zona tjera, përfshirë Mostarin dhe qytetin e Ljubinjes.

Tërmeti ndje në të gjithë Ballkanin, përfshirë edhe Kosovën e Shqipërinë, e madje edhe në Italinë jugore.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se, tërmeti që u ndje mbrëmjen e sotme edhe në disa qytete të Shqipërisë e kishte epiqendrën 10 km në Jugperëndim të qytetit Mostar në Bosnjë-Hercegovinë, me magnitudë 5.7.

Peleshi tha se, “ky tërmet është ndier pothuajse në të gjithë vendin, por deri në këtë moment nuk raportohet për të lënduar apo dëme”.

Peleshi tha se, “të gjitha strukturat e mbrojtjes civile janë në monitorim të situatës në të gjithë vendin”.