Në kuadër të vizitës shtetërore të Kryetarit të shtetit të Kinës Xi Jinping në Egjipt, më 1 shtator sipas orës lokale, u mbajt në Kajro aktiviteti i fillimit të transmetimit të versionit në arabisht të programit “Veprat klasike të preferuara nga Xi Jinping”, prodhuar nga Grupi Mediatik i Kinës. Presidenti i Egjiptit Sisi dërgoi një mesazh urimi për të përshëndetur zhvillimin e suksesshëm të këtij aktiviteti.
Në mesazhin e tij, Presidenti Sisi u shpreh se gjatë 70 viteve të fundit, marrëdhëniet mes Egjiptit dhe Kinës janë zhvilluar në vazhdimësi dhe janë bërë një shembull partneriteti. Këto marrëdhënie bazohen në respektin e ndërsjellë, solidaritetin dhe përfitimet e përbashkëta, duke u përpjekur të forcojnë frymën e bashkëpunimit midis vendeve, të mbrojnë drejtësinë dhe barazinë, si dhe të arrijnë një zhvillim të gjithanshëm, barazi dhe paqe. Egjipti do të vazhdojë të punojë me miqtë kinezë për të konsoliduar këto parime, duke i kthyer ato në themele të forta për marrëdhënie afatgjata në të ardhmen.
Foto nga CMG
Duke filluar nga kjo ditë, programi do të transmetohet në mediat kryesore egjiptiane si Televizioni Kombëtar i Egjiptit, Televizioni i Lumit Nil, Televizioni Lajme Sot, Televizioni Dielli, gazeta “Egjiptianët e Sotëm”, si dhe në mediat kryesore afrikane si URTNA, televizionet e Kenias, Çadit dhe Afrikës së Jugut.
Programi sjell një përzgjedhje të pjesëve të famshme nga veprat e lashta klasike të cituara nga Kryetari Xi gjatë fjalimeve, artikujve dhe bisedimeve të tij, duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik, inovacionin teknologjik, qytetërimin ekologjik dhe jetën sociale, si dhe duke nxjerrë në pah shenjat unike të qytetërimeve kineze, përmbajtjet e epokës së re, si dhe vlerat e globalizimit.
Gjatë fjalimit të rastit, Drejtori i CMG-së Shen Haixiong u shpreh se para 70 viteve, Egjipti ishte vendi i parë arab dhe afrikan që vendosi lidhje diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. “Veprat klasike të preferuara nga Xi Jinping” versioni në arabisht, prodhuar nga CMG, i ofron shikuesve një mundësi për të kuptuar më mirë kulturën, mençurinë dhe frymën kineze. CMG është e gatshme që së bashku me qarqe të ndryshme të Egjiptit, të përfitojë nga përvojat e njëri tjetrit, të ecë përpara me duar të bashkuara, të japë kontribut për bashkë-ndërtimin cilësor të nismës “Një brez, një rrugë”, për të shënuar kështu një kapitull të ri në ndërtimin e gjithanshëm të komunitetit me të ardhme të përbashkët Kinë-Egjipt në epokën e re.
Foto nga CMG
Ditët e fundit, mbi 30 media kryesore egjiptiane, si Al-Ahram, Al Akhbar dhe Al Gomhuria, përfshirë edhe mediat e vendeve arabe si Iraku dhe Jordania kanë bërë njoftime mbi përmbajtjet e programit dhe aktivitetet përkatëse./cgtn



















































