Ambasadori Philip T. Reeker, asistent sekretar për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, thuhet se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama javën e shkuar.
Kjo telefonatë raportohet nga Top Channel, ku sipas tij ambasadori Reeker ka ngulmuar gjatë telefonatës për mos bërjen e asnjë hap pas në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit.
Ditën kur presidenti Meta çdekretoi datën e zgjedhjeve, Top Channel raportoi se në DASH ambasadori Philip T. Reeker, kishte zhvilluar një takim me departamentin e Euroazizë, për të analizuar vendimin e presidentit.
Ajo çfarë ishte konkluduar në këtë takim, u mësua një dite më pas kur një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i tha “Zërit të Amerikës” se DASH, është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt, me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit.
Departamenti i Shtetit, tha zëdhënësi, do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër.
Pikërisht kjo ndjekje vijoi me telefonatën e Reeker për Ramën të mërkurën.
Sakaq, e enjtja e shkuar një ditë përpara protestës së 9 kombëtare, e gjeti zv.Shefin e Misionit në Detyrë i Ambasadës Amerikane, Daniel Koski në zyrat e kryedemokratit Lulzim Basha dhe shefes së LSI Kryemadhi.