E ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi sot takime të ndara me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Në një njoftim në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së deklaroi se VanHorn pati diskutime frytdhënëse me përfaqësuesit e dy grupeve kryesore parlamentare, duke i angazhuar ata në planet për përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë.
Sipas ambasadës, VanHorn theksoi se dialogu konstruktiv dhe liria e fjalës përbëjnë shtylla të institucioneve të forta politike, ndërsa SHBA pret të bashkëpunojë me të gjithë spektrin politik për të kontribuar në siguri dhe mirëqenie më të madhe.
Kreu i grupit parlamentar në PD, Bardhi theksoi se gjatë takimit me VanHorn ndau qëndrimin e PD-së “mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike”.
“Për fat të keq, gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës. Kjo qeveri qëndron në pushtet përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkruan Bardhi.
Sipas Bardhit “e vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Edhe kryetari i grupit parlamentar në PS, Taulant Balla, reagoi pas takimit me VanHorn.

Balla tha se në qendër të bisedës “ishte dialogu dhe agjenda legjislative e Kuvendit në kuadër të reformave shumëplanëshe, ku prioritete thelbësore spikasin përmbushja e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda këtij mandati si dhe detyrimet në fushën e sigurisë si një vend anëtar i NATO, aleat strategjik me SHBA”.
“Vlerësojmë mbi gjithçka rolin udhëheqës të Presidentit Trump dhe përpjekjet e SHBA për paqe dhe siguri kudo në botë”, u shpreh Balla.
“Gjatë takimit diskutuam edhe për zgjerimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit si dhe mbi idenë e një Memorandumi Bashkëpunimi mes dy institucioneve ligjvënëse”, shkruan Balla.
/Argumentum.al





























































