Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është kërcënuar me jetë në ditën kur policia zbuloi një bazë armatimi në Zveçan me shumë armë, fishekë, granata dore e eksplozivë. Kërcënimi iu la si koment në postimin e tij nga profili me emrin “Brigada e veriut”, që së fundi është shpallur organizatë terroriste, raporton Koha.net
“Unë personalisht ta jap dënimin, pritet veç momenti”, thuhet në kërcënimin.
Sipas burimeve të KosovaPress-it, ky profil përmes të cilit është kërcënuar ministri është vërtet i organizatës terroriste “Brigada e veriut”.
E gjatë operacionit të kryer të martën në Zveçan, sipas ministrit Sveçla, është gjetur numër i konsiderueshëm i armëve. Sipas tij, në vendin e ngjarjes ishin edhe përfaqësuesit e KFOR-it.
“Ditën e sotme Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”, tha Sveçla.
Javë më parë policia ka ndaluar edhe një veturë me targa të Serbisë të mbushur plot me armatim.
Bashkë me “Brigadën e Veriut”, edhe “Mbrojtja Civile” që, po ashtu, vepron në veri, është shpallur terroriste nga Qeveria e Kosovës.




























































