Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot ndaj vendimit të GJKKO për arrestimin e Jamarbër Malltezit dhe ndalimin e lëvizjes jashtë vendit për ish-kryeministrin Sali Berisha të cilët akuzohen për korrupsion në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Meta u shpreh në rrjetet sociale se Drejtësia me regji ka ndërmarrë veprimet e saj antikushtetuese dhe të paligjshme ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha me urdhër politik të Edi Ramës.
“Këto veprime, që kanë shkelur me këmbë edhe Parlamentin e Shqipërisë, kërkojnë shmangien e vëmendjes nga korrupsioni dhe përgjegjësitë shumë të rënda personale të Edi Ramës për aferën e inceneratorëve dhe mjaft aferave të tjera qindra milionëshe.
Qëllimi politik i vetëm është shantazhi dhe intimidimi i opozitës, e cila po denoncon me këmbëngulje të vërtetat shumë të hidhura të korrupsionit mafioz të Qeverisë”, u shpreh Meta.




























































