Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), në një deklaratë të publikuar më 19 tetor 2026, ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe mbështetjen për të drejtën e studentëve dhe qytetarëve për protestë paqësore. KASH i bën thirrje qeverisë të përgjigjet me masa konkrete ndaj kërkesave të protestuesve, Policisë së Shtetit të tregojë vetëpërmbajtje dhe protestuesve të shmangin aktet e dhunës, duke theksuar se dialogu, llogaridhënia dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë thelbësore për një zgjidhje demokratike e të qëndrueshme.
Deklarata e plotë:
Tiranë, 19 tetor 2026
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e fundit dhe shpreh mbështetjen e tij të plotë për studentët dhe të drejtën kushtetuese të tyre dhe të qytetarëve për të protestuar paqësisht për arsim cilësor, dinjitet, mirëqeverisje dhe një të ardhme më të mirë në vendin e tyre. Zëri i tyre duhet të dëgjohet me përgjegjësi dhe kërkesat e tyre të marrin përgjigje konkrete e të menjëhershme.
Këto protesta pasqyrojnë një krizë të thelluar besimi ndaj institucioneve publike dhe qeverisjes, e cila mund të kapërcehet vetëm përmes transparencës, llogaridhënies dhe dialogut të sinqertë.
Forca nuk është argument. Argumenti është forcë.
KASH u bën thirrje protestuesve të ruajnë karakterin paqësor të tubimeve, të distancohen nga çdo akt provokimi dhe të mbrojnë pronën publike e private. Dëmtimi i pronës cenon drejtpërdrejt interesin e qytetarëve dhe dëmton kauzën studentore.
I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe forcave të rendit të tregojnë vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm të lartë, të shmangin çdo veprim provokues apo përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe të veprojnë në përputhje të plotë me ligjin, parimin e proporcionalitetit dhe të drejtat e njeriut, duke garantuar të drejtën për protestë paqësore, rendin dhe sigurinë e të gjithëve.
Qeveria dhe autoritetet përgjegjëse duhet të reflektojnë me përgjegjësi shtetërore dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për kapërcimin e kësaj situate përmes dialogut konstruktiv dhe masave të prekshme. Në demokraci, interesat e vendit dhe e ardhmja e rinisë qëndrojnë mbi çdo interes politik apo pushteti.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën thirrje gjithashtu partnerëve ndërkombëtarë të nxisin vetëpërmbajtjen nga ana e autoriteteve, respektimin e të drejtës për protestë paqësore dhe mbështetjen e një zgjidhjeje demokratike e të qëndrueshme.
Shqipëria mbi të gjitha.
© 2026 Argumentum





















































