Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi e cilësoi një shkelje të rëndë të Kushtetutës masën e sigurisë të dhënë nga GJKKO ndaj Sali Berishës.
Në një konferencë për mediat të hënën, Bardhi tha se heqja e lirisë për deputetin Sali Berisha është në kundërshtim të plotë me kushtetutën e vendit, që thotë se për çdo masë sigurie ndaj një deputeti duhet më parë një autorizim nga Kuvendi.
“Personalisht mbështes pa asnjë rezervë barazinë e cilitdo përpara ligjit. Në një vend demokratik duhet të ketë zero imunitet për parlamentarët. Mirëpo, Kushtetuta e Shqipërisë në rastin e të zgjedhurve ka ofruar disa garanci shtesë, që duhet të sigurohen pa asnjë përjashtim. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet një masë sigurimi që kufizon lirinë në çfarëdo lloj forme, prokurori është i detyruar të kërkojë autorizim nga Kuvendi. Dje jam njohur me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që cakton në mënyrë të njëkohshme dy masa sigurimi ndaj z. Sali Berisha. Të dyja masat e sigurimit kufizojnë lirinë e tij të lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK. Imuniteti parlamentar është më së pari garanci ndaj deputetëve të opozitës, edhe pse opozita aktuale nuk kërkon dhe nuk pret mbrojtje, imunitet apo trajtim preferencial nga Drejtësia. Por, drejtësia që të konsiderohet e pavarur, që të trajtohet e respektohet si e pavarur, duhet të kryejë akte me forcën e ligjit, bazuar në prova e me transparencë, e pandikuar nga pushteti dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor”, tha Bardhi.