Me rastin e Vitit të Ri 2024, presidenti i Kinës Xi Jinping përcolli një mesazh për festën, ku uron begati për popullln kinez dhe paqe e qetësi për botën, si edhe shpreh përkushtimin ndaj krijimit të bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Në vijim është i plotë ky mesazh urimi.
Shokë, miq,
Zonja dhe zotërinj,
Përshëndetje!
“Kur vjen kulmi i dimrit, fillojnë të mblidhen forcat e rritjes. Pas përfundimit të një viti, nis ritmi i ri”. Në këtë moment të bukur të ndërrimit të viteve, ju shpreh nga Pekini urimet e mia të sinqerta për Vitin e Ri!
Në vitin 2023, kemi ecur përpara me përpjekje të pandërprera, duke kapërcyer vështirësi dhe duke shijuar peizazhe të bukura me arritje të spikatura. Nuk do t’i harrojmë kohët e vështira në këtë vit, duke ushqyer besim për të ardhmen e ndritur.
Në vitin 2023 ne kemi hedhur hapa të vendosur. Pas ndryshimit të masave të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, ekonomia kineze vijoi të rigjallërohej e të shkonte drejt përmirësimit, duke arritur përparim të qëndrueshëm në zhvillimin me cilësi të lartë. Sistemi modern i industrializimit është përsosur, me ngritjen e shpejtë të një sërë sektorësh shtyllë me nivel të lartë, zhvillim inteligjent dhe të gjelbër. Prodhimi i drithërave pati rritje për të dymbëdhjetin vit me radhë, mjedisi natyror është bërë më i bukur dhe rigjallërimi rural ka shfaqur një panoramë të re. Kemi dëshmuar edhe ripërtëritjen e gjithanshme të krahinave verilindore, ndërtimin e shpejtë të Zonës së Re Xiong’an, gjallërinë e Brezit Ekonomik të Lumit Jance dhe lulëzimin e Rajonit të Madh të Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao. Pavarësisht luhatjeve, ekonomia kineze është fuqizuar më tej si nga pamja e jashtme, ashtu edhe për sa u përket bazave të saj.
Kemi hedhur hapa të fuqishëm. Pas përpjekjeve të gjata, aftësia e risive dhe gjallëria e zhvillimit të Kinës janë nxitur në mënyrë të vrullshme. Avioni i madh i udhëtarëve C919 u vu në përdorim komercial, anija e parë turistike gjigante e prodhuar nga Kina ka kryer lundrim të suksesshëm eksperimental, misionet e fluturimeve hapësinore me ekuipazh “Shenzhou” u kryen njëri pas tjetrit dhe mjeti zhytës “Fendou” mbërriti në thellësi më të mëdha detare. Produktet e markave kineze u mirëpritën nga konsumatorët dhe celularët kinezë janë kërkuar më shumë në treg. Makinat me energji të reja, bateritë e litiumit dhe produktet fotovoltaike e kanë pasuruar më tej “Made in China”. Kina po ngjitet më lart me frymën e mbështetjes te forcat e veta, duke ofruar pandërprerë risi.
Kemi hedhur hapa plot gjallëri. Në Universiadën e Chengdu-së dhe në Lojërat Aziatike të Hangzhou-t, sportistët kinezë kanë konkurruar me dinjitet dhe kanë arritur rezultate të mira. Bumi i turizmit gjatë pushimeve të festave, lulëzimi i tregut kinematografik, popullariteti i “kampionateve” rurale dhe i mbrëmjeve festive në fshatra, mënyra e jetesës me lëshim të ulët karboni, atmosfera e ngrohtë familjare dhe puna e palodhshme në poste të ndryshme kanë pasqyruar synimin e njerëzve për lumturi dhe kanë dëshmuar një Kinë plot gjallëri.
Kemi hedhur hapa me vetëbesim. Kina është një vend i madh që ka trashëguar një qytetërim madhështor. Mbi këtë tokë të gjerë, nga Veriu deri në Jug, ka peizazhe mahnitëse natyrore me shkretëtira të paskajshme në Veriperëndim e shira të imët me fllad në jug të lumit Jance, dhe rrjedhin pa pushim lumenj të mëdhenj, si Lumi i Verdhë dhe Jance, gjen gjurmë të qytetërimit të lashtë mijëravjeçar në Liangzhu e Erlitou, hieroglife të zbuluara të gdhendura mbi guacka e kocka në Yinxu, thesare kulturore të gjetura në Sanxingdui dhe relikte të ruajtura në Arkivën Kombëtare të Botimeve dhe të Kulturës. Historia e gjatë dhe qytetërimi i pasur janë baza dhe burimi i vetëbesimit dhe i forcës sonë.
Kina jo vetëm kërkon zhvillimin e vet, por edhe e përqafon aktivisht botën, duke marrë përsipër përgjegjësitë e një vendi të madh. Ne kemi zhvilluar me sukses samitin Kinë-Azi Qendrore e Forumin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë”, dhe me një sërë veprimtarish diplomatike të organizuara në Kinë kemi mirëpritur mysafirë nga kontinente të ndryshme të botës. Kam vizituar edhe shumë vende e kam marrë pjesë në një sërë mbledhjesh ndërkombëtare, duke u takuar me shumë miq të vjetër e partnerë të rinj, duke ndarë qëndrimet e Kinës e duke thelluar mendimet unanime me njëri-tjetrin. Gjendja ndërkombëtare ndryshon pandërprerë, por zhvillimi paqësor është gjithmonë motivi kryesor dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta mbetet gjithmonë i pandryshuar.
Rruga e përparimit shoqërohet gjithmonë me zigzage. Disa ndërmarrje përballen me presion menaxhimi, një pjesë e e popullit përballet me vështirësi në punë e jetë, ndërsa disa vise u goditën nga përmbytjet, tajfuni, tërmeti ose fatkeqësi të tjera natyrore. Të gjitha këto më shqetësuan. Por ne të gjithë nuk u frikësuam nga vështirësitë, e ndihmuam njëri-tjetrin, përballuam sfidat dhe kapërcyem vështirësitë e ndryshme. Edhe kjo më ka prekur shumë. Fshatarët e palodhur, punëtorët e përkushtuar, rrugëhapësit e guximshëm, ushtarët që mbrojnë vatrat, të gjithë derdhin djersë e përpiqen me përkushtim në krahina të ndryshme. Çdo njeri i zakonshëm ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm! Populli është gjithmonë mbështetja jonë më e madhe në luftën kundër të gjitha vështirësive.
Në vitin 2024 do të jetë 75-vjetori i krijimit të Republikës Popullore të Kinës. Ne duhet të nxitim me vendosmëri modernizimin e stilit kinez, të zbatojmë konceptin e ri të zhvillimit në mënyrë të plotë, të saktë e gjithëpërfshirëse, të shpejtojmë krijimin e kornizës së re të zhvillimit, të nxitim zhvillimin me cilësi të lartë dhe të ndërthurim siç duhet zhvillimin me sigurinë. Duhet të kërkojmë përparimin në qëndrueshmëri, të sigurojmë qëndrueshmërinë me anë të përparimit, të vendosim të renë para heqjes së të vjetrës dhe të forcojmë prirjen e rigjallërimit e të përmirësimit të ekonomisë, duke realizuar qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes ekonomike. Duhet të thellojmë në mënyrë të gjithanshme Reformën dhe Hapjen, të forcojmë më tej besimin te zhvillimi, të shtojmë gjallërinë ekonomike dhe në një mënyrë më të fuqishme të zhvillojmë arsimin, të përparojmë teknologjinë dhe të mbështesim talentet njerëzore. Duhet t’i përkrahim Hong-Kongun dhe Makaon të shfrytëzojnë epërsitë e veta dhe të ruajnë qëndrueshmërinë e lulëzimin afatgjatë, duke u integruar në kuadrin më të gjerë të zhvillimit të atdheut. Ribashkimi i atdheut është prirja e natyrshme e historisë, bashkatdhetarët në të dy brigjet e Ngushticës së Tajvanit duhet të bashkohen me një zemër dhe të gëzojnë së bashku krenarinë e madhe të rilindjes kombëtare.
Objektivat tanë janë madhështorë, po gjithashtu edhe të thjeshtë: kërkimi i jetës më të bukur për popullin. Mirërritja dhe arsimimi i fëmijëve, punësimi dhe kualifikimi i të rinjve, përkujdesi dhe mjekimi i të moshuarve, të gjitha këto janë çështje familjare, por edhe kombëtare, prandaj ne të gjithë duhet të përpiqemi së bashku për t’i trajtuar sa më mirë këto çështje. Sot shoqëria jonë ecën me ritme të shpejta, të gjithë janë të zënë dhe jeta e tyre ka trysni të lartë. Ne duhet të krijojmë një atmosferë shoqërore të ngrohtë e harmonike, të zgjerojmë hapësirën e inovacionit plot gjallëri e gjithëpërfshirës dhe të krijojmë kushte më të favorshme e të përshtatshme jetese, në mënyrë që të gjithë të jemi të lumtur, të kemi një jetë të mrekullueshme dhe t’i bëjmë ëndrrat tona realitet.
Në botën e sotme ka edhe disa vende që po vuajnë nga flakët e luftës. Populli kinez e çmon shumë paqen, prandaj ne dëshirojmë të përpiqemi së bashku me komunitetin ndërkombëtar, duke pasur si objektiv më të lartë të gjithë njerëzimin dhe duke u përpjekur për të mirën e popullit tonë, që të nxitim krijimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe të ndërtojmë një botë më të bukur.
Në këtë kohë nata e çdo familjeje ndriçohet. Le të urojmë që atdheu ynë të ketë begati e bota të ketë paqe e qetësi, dhe që të gjithë të kalojnë një vit të bukur me lumturi, shëndet dhe mbarësi!
Faleminderit!