Dy shpërthime tronditën qytetin jug-qendror të Iranit, Kerman, pranë varrezave ku është varrosur komandanti i vrarë i Gardës Revolucionare Islamike Qasem Soleimani, njoftuan mediat shtetërore iraniane.
Të paktën 100 persona janë vrarë dhe qindra të plagosur, sipas Agjencisë së Lajmeve Tasnim, e lidhur me IRGC.
Shkaku i shpërthimit mbetet i panjohur, me raporte të pakonfirmuara që thonë se bombolat e gazit shpërthyen në rrugën që çon në varrezat e Soleimani.
Mijëra njerëz ishin në varrezat që shënuan përvjetorin e katërt të vdekjes së tij, njoftoi të mërkurën Agjencia e Lajmeve Mehr, pa shtuar më shumë detaje.
Soleimani udhëhoqi forcat elitare Quds të IRGC-së të Iranit derisa u vra në një sulm me dron amerikan në Bagdad në vitin 2020.
Shpërthimi vjen në një moment kritik në rajon. Të martën, udhëheqësi i Hamasit, Saleh Al-Arouri u vra në atë që besohet gjerësisht të ketë qenë një sulm me dron që goditi një ndërtesë në Bejrutin jugor ku thuhet se po takoheshin zyrtarët palestinezë. Pesë anëtarë të tjerë të Hamasit u vranë në sulm.
Arouri, nënkryetari i byrosë politike të lëvizjes, ishte lidhja kryesore midis Iranit dhe Hezbollahut libanez. Vdekja e tij ngre rrezikun e zgjerimit të luftës Izrael-Hamas në Liban dhe gjetkë në rajon.
Hezbollahu i mbështetur nga Irani tashmë po shkëmben zjarr të rëndë me ushtrinë izraelite përgjatë kufirit Izrael-Liban në shenjë solidariteti me palestinezët në Rripin e Gazës.
Në një deklaratë të martën, Hezbollah kërcënoi se do t’i përgjigjej vdekjes së Arourit.
“Ne, Hezbollahu, pohojmë se ky krim nuk do të mbetet pa përgjigje apo pa u ndëshkuar”, tha lëvizja, duke e quajtur sulmin izraelit “një zhvillim të rrezikshëm në rrjedhën e luftës”.
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hassan Nasrallah do të mbante një fjalim të mërkurën, por fjalimi thuhet se u shty për të premten pas vdekjes së Arourit.