Kryeministri Edi Rama, i ka dërguar një letër kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ku i shpreh mbështetjen e Tiranës zyrtare për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Letra është bërë publike nga vetë kryetarja Sinani, e cila përmes një postimi në rrjetin social Facebook falenderon kryeministrin Rama për mbështetjen e vazhdueshme.
Letra e kryeministrit ishte përgjigje ndaj urimit që kryetarja e komunës së Preshevës i ka bërë për fitoren e mandatit të katërt.
Letra e plotë e kryeministrit Edi Rama:
E nderuar zonja Sinani,
Ju falënderoj përzemërsisht për urimin Tuaj aq të ngrohtë e miqësor me rastin e fitores në zgjedhjet e përgjithshme politike për një mandat të ri qeverisës.
Duke Ju përcjellë këtë mesazh falënderimi, unë kam rastin e duhur të shpreh gjithë vlerësimin tim për angazhimin dhe përkushtimin Tuaj në krye të Komunës së Preshevës, në mirëqeverisjen e qytetarëve të saj dhe në mbrojtjen e avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Dua t’Ju siguroj se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të rritet e forcohet, si shprehje e vëmendjes dhe përkujdesjes së Qeverisë shqiptare ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe angazhimit të saj të qëndrueshëm në mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të tyre, si edhe në rritjen dhe forcimin e zhvillimit ekonomik dhe standardit jetësor të shqiptarëve në Luginë.
Edhe një herë, me urimet e mia më të mira për Ju dhe me besimin se në një kohë të përshtatshme do të jem përsëri mes qytetarëve të Preshevës, pranoni Ju lutem, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.