Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar më shumë se 40 milionë dollarë për të forcuar kapacitetet e Shqipërisë në përballimin e kërcënimeve kibernetike, përfshirë sulmet e sponsorizuara nga qeveri të huaja.
Gjatë Konferencës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike në Shqipëri, ambasadori amerikan, Eric Wendt, vlerësoi përparimin e vendit në forcimin e qëndrueshmërisë digjitale dhe zhvillimin e ekspertizës vendase në fushën e sigurisë kibernetike.
Ai nënvizoi rëndësinë e partneritetit shqiptaro-amerikan, i cili përfshin edhe programe trajnimi si CyberNext, me synim përgatitjen e specialistëve të rinj dhe rritjen e aftësive për t’iu përgjigjur kërcënimeve në hapësirën digjitale.
Sipas Ambasadës së SHBA-së, bashkëpunimi synon ndërtimin e një infrastrukture digjitale më të qëndrueshme dhe të sigurt, jo vetëm për Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara, por edhe për sigurinë e përbashkët në kuadër të NATO-s.
“Së bashku, po ndërtojmë një infrastrukturë digjitale më të fortë e më të sigurt për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.
© 2026 Argumentum





















































