Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim zyrtar Zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Christopher Landau. Gjatë bisedës, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për miqësinë historike dhe partneritetin strategjik që SHBA ka ndërtuar me Shqipërinë ndër vite.
Kreu i Shtetit vlerësoi rolin vendimtar të SHBA-së në momentet kyçe të historisë së kombit shqiptar, si dhe mbështetjen e pakursyer në reformat kryesore që kanë përforcuar demokracinë dhe shtetin ligjor në vend. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj çmoi ndihmën amerikane në reformën në drejtësi, forcimin e institucioneve, zhvillimin e demokracisë dhe në fushën e mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e sigurisë kibernetike.
“Jemi thellësisht mirënjohës për kontributin që SHBA ka dhënë në transformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura dhe për reformën historike të sistemit të drejtësisë,” u shpreh Presidenti Begaj.
Në fushën ekonomike, Presidenti nënvizoi angazhimin e Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin bilateral dhe inkurajoi investimet amerikane në sektorë strategjikë si turizmi, infrastruktura, teknologjia dhe siguria kibernetike. Ai vlerësoi gjithashtu projektet amerikane në energjinë e rinovueshme dhe transformimin digjital si mundësi të rëndësishme për modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe rritjen e punësimit.
Presidenti Begaj vlerësoi edhe rolin e SHBA-së në rajon, duke theksuar rëndësinë e vijimit të prezencës amerikane si një faktor i pazëvendësueshëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në përfundim të takimit, Presidenti theksoi përkushtimin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë që burojnë nga anëtarësimi, duke njoftuar edhe rritjen e buxhetit të mbrojtjes në përputhje me objektivat e Aleancës.
“Për ne, anëtarësimi në NATO është jo vetëm një nder, por edhe një përgjegjësi që Shqipëria është e vendosur ta përmbushë,” përfundoi Presidenti Begaj.