Kina do të konsolidojë më tej rolin e zonave të zhvillimit ekonomiko-teknologjik në nivel shtetëror në tërheqjen e investimeve të huaja, krahas hapjes së vazhdueshme të vendit, bëri të ditur të martën Ministria e Tregtisë.
Aktualisht, rendi ndërkombëtar ekonomiko-tregtar po përballet me tronditje të shumta, tha Ling Ji, zv/Ministër i Tregtisë, në një konferencë shtypi, duke vënë në dukje se roli i zonave të zhvillimit si një shtyllë kryesore në stabilizimin e tregtisë dhe investimeve të huaja, po bëhet gjithnjë e më i spikatur.
Deri në fund të vitit 2024, numri i zonave të tilla arriti në 232 në gjithë vendin, duke realizuar një PBB prej 16.9 trilion juanësh (rreth 2.35 trilionë dollarë amerikanë), sipas ministrisë.
Foto nga VCG
Gjatë së njëjtës periudhe, tregtia e jashtme brenda këtyre zonave arriti në 10.7 trilion juanë, duke përbërë 24.5% të tregtisë së përgjithshme ndërkufitare të Kinës. Investimet e huaja direkte (IHD) në zonat në përdorim aktual arritën në 27.2 miliardë dollarë amerikanë, duke zënë 23.4% të totalit të vendit.
Zonat kanë dhënë kontribute të rëndësishme në ndërtimin e një sistemi të ri të ekonomisë së hapur, duke promovuar zhvillimin e koordinuar rajonal dhe duke nxitur rritjen industriale me cilësi të lartë, tha Ling.
Javën e kaluar, ministria publikoi një plan pune që synon thellimin e reformës dhe inovacionit në zonat e zhvillimit, me fokus rritjen me cilësi të lartë përmes hapjes me standarde të larta.
Për të përmirësuar cilësinë e shfrytëzimit të investimeve të huaja, plani i punës kërkon dhënien e përparësive projekteve të financuara nga jashtë në sektorë si qarqet e integruara, biomjekësia dhe prodhimi i pajisjeve të përparuara për përfshirje në listën e projekteve kryesore të investimeve të huaja.
Foto nga VCG
Ai gjithashtu inkurajon zonat e zhvillimit të thellojnë angazhimin me investitorët kryesorë globalë dhe institucionet financiare, nëpërmjet shfrytëzimit të platformave të promovimit të tregtisë, duke premtuar mbështetje për zonat në organizimin e delegacioneve për të shkuar jashtë vendit për të tërhequr kapital të huaj.
Në vijim, ministria do të përqendrohet në lehtësimin e zbatimit të planit të punës, duke mbështetur njëkohësisht zonat e zhvillimit në zgjerimin e burimeve të investimeve të huaja dhe duke nxitur riinvestimet nga ndërmarrjet me investime të huaja në Kinë./cgtn